Ndeshja e djeshme e Kombëtares Shqiptare, dhuroi emocione të forta, ndërsa Klaus Gjasula, i futur në lojë në pjesën e dytë, arriti që të futej në librin e rekordeve. Teksa u aktivizua në pjesën e dytë nga Silvinjo, Gjasula kaloi nga ferri në parajsë brenda disa minutash, pasi fillimisht shënoi autogol në portën e Strakoshës, dhe në minutat shtesë shënoi golin e barazimit.
E ndërsa i gjithë stadiumi u drodh nga brohorima e tifozëve shqiptarë, nuk kishte si të mos dallohej gëzimi në sytë e familjarëve të Gjasulës, i cili shënoi më herët dhe një autogol. Në këto pamje që janë shpërndarë tashmë gjerësisht në rrjet, shihet vëllai i Gjasulës, Jurgeni shpërthen në lot me ngashërim pas barazimit.
Jurgen Gjasula, është edhe vetë ish-futbollist, ndërsa është aktivizuar disa vite më parë me kombëtaren shqiptare.
Shqipëria arriti që të merrte një pikë përballë Kroacisë, duke shpresuar në një mrekulli në ndeshjen me Spanjën, që mund të na siguronte kualifikimin përtej fazës së grupeve.