​Vetëvendosje për dhënien në shfrytëzim të hapësirës së Tulltores: Rama nuk është mbi ligjet e Republikës

- Advertisement -

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Prishtinë, reagoi ndaj vendimit të kryetarit të Prishtinës ,Përparim Rama, për dhënien në shfrytëzim të hapësirës së Tulltores, duke theksuar se Rama nuk është mbi ligjet e Republikës.

“Komuna e Prishtinës ka publikuar në faqen e saj zyrtare vendimin për dhënien në shfrytëzim për 50 vjet të hapësirës së Tulltores dhe vendimet për caktimin e lokacioneve për projekte të ndryshme, megjithëse ministritë përkatëse i kanë vlerësuar si të kundërligjshme dhe e kanë njoftuar Komunën brenda afatit ligjor.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duhet të jap përgjegjësi për publikimin e këtyre vendime pa u rregulluar kundërligjshmëritë e konstatuara”, thuhet në reagim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas këtij subjekti politik, kjo qasje shpreh një mendësi të papranueshme, tashmë të shpërfaqur maksimalisht, të kësaj qeverisje lokale.

“Çfarë mesazhi u jepet qytetarëve kur vetë Komuna vepron sikur vlerësimet e institucioneve përgjegjëse nuk kanë rëndësi?

Prishtina nuk mund të qeveriset sipas logjikës se vullneti dhe interesi i kryetarit qëndron mbi ligjin.

Megjithatë, publikimi në faqen zyrtare nuk ia largon kundërligjshmërinë një vendimi. Vlerësimet e ministrive kërkojnë trajtim institucional dhe përgjigje ligjore.

Ligji nr. 08/L-284 për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave e përcakton qartë procedurën. Kur konstatohet mospërputhje me ligjin, kërkohet rishqyrtimi i aktit e jo publikim i tij.

Në çdo rast tjetër, çfarë kuptimi ka mbikëqyrja e ligjshmërisë nëse shkeljet konstatohen, shkresat dërgohen dhe pastaj Komuna vazhdojnë sikur asgjë nuk ka ndodhur?.

Të trajtosh si të parëndësishme vlerësimet e ligjshmërisë do të thotë të sfidosh autoritetin e institucioneve të Republikës. Autonomia komunale nuk është leje për arbitraritet dhe as nuk duhet të jetë mundësi për t’i vënë interesat personale e shoqërore mbi ligjet e shtetit.

Përparim Rama ka mandat për ta qeverisur Prishtinën brenda ligjit. Nuk ka mandat t’i caktojë vetë kufijtë e ligjit.

Prishtina është kryeqyteti i Republikës. Nuk është republikë e Përparim Ramës!”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Të ngjashme

Të fundit