Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të sigurisë lidhur me zhvillimet e parapara për 16 shtator, kur pritet të shpallet verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Policia ka bërë të ditur në një komunikatë për media se ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për garantimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit publik.
“Policia e Kosovës, lidhur me zhvillimet e parapara për datën 16 shtator, ku pritet të merret verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që parashihen”, thuhet në komunikatë.
Policia ka bërë të ditur se ka zhvilluar takime informuese dhe koordinuese me strukturat përkatëse dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Sipas praktikave të mëhershme të ndërtuara, me qëllim të mirëmbajtjes dhe avancimit të partneritetit, kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete apo tubime publike, menaxhmenti i PK-së mban takime informuese dhe koordinuese me drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorët e drejtorive rajonale, përfshirë edhe takime me partnerë ndërkombëtarë, si: KFOR, EULEX, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, Zyra e BE-së dhe OSBE-ja”, thuhet më tej.
“Një takim i tillë u mbajt edhe sot në Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së, ku u prezantua plani dhe angazhimet policore lidhur me zhvillimet e parapara që ndërlidhen me datën 16 shtator”, thuhet në komunikatë.
Policia ka theksuar se siguria do të ofrohet për të gjithë qytetarët, ndërsa njësitë policore do të angazhohen për mbarëvajtjen e aktiviteteve.
“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohet me njësi policore, në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojnë të qeta dhe pa incidente”, thuhet në komunikatë.
Sipas Policisë, në varësi të zhvillimeve mund të ketë edhe kufizime të përkohshme të qarkullimit.
“Varësisht nga aktivitetet dhe zhvillimet e mundshme, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktivitetet, andaj Policia e Kosovës ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, thuhet në njoftim.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë.
“Policia e Kosovës iu bën thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që aktivitetet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të sigurt”, thuhet në komunikatë.
“Planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në rastet kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete, apo pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, hartimi dhe implementimi i planeve policore janë pjesë e procedurave të rregullta policore, që shërbejnë në interes të sigurisë së përgjithshme”, theksohet më tej.
Në fund, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.
“Policia e Kosovës falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim, siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritete të Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
“Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend”, përfundon njoftimi.






