Delegacioni i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) Agim Aliu kryetar, Imri Ahmeti nënkryetar dhe Sazan Ibrahimi Drejtor Ekzekutiv, janë takuar me Kryetarin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës Leendert Verbeek.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
“Në këtë takim delegacioni nga Kosova informoi kryetarin e Kongresit Verbeek me aktivitetet e Asociacionit të Komunave të Kosovës në fushën e qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës. U vlerësua nga të dyja palët se është shumë i domosdoshme shkëmbimi i përvojave në Kongres si dhe u konfirmua se praktikat e mira që Asociacioni i Komunave i merr në Këshillin e Evropës mundohet të i zbatojë në Komunat e Kosovës. Në këtë takim është biseduar edhe për implementimin e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe shkëmbimin e praktikave dhe modeleve mes komunave të shteteve evropiane dhe komunave të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se kryetari i Kongresit Verbeek shprehu gatishmëri për përkrahje të mëtutjeshme për pushtetin lokal në Kosovë edhe përmes projekteve të ndryshme në të ardhmen.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës Agim Aliu me këtë rast e ftoi kryetarin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës Leendert Verbeek për një vizitë në Kosovë.
Po ashtu delegacioni në fund falënderuan Kongresin për bashkëpunimin dhe takimin e jashtëzakonshëm e shumë të frytshëm.
Ky takim është realizuar gjatë punimeve të sesionit vjeshtor të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, e ku Asociacioni i Komunave të Kosovës është anëtar vëzhgues i Kongresit.