Vrasja e Liridona Ademajt gruas së këshilltarit të Behgjet Pacollit, Naim Murseli i ka tronditur të gjithë. Edhe më tronditëse situata u bë kur si i dyshuar kryesor për vrasjen e saj po del të jetë bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Në opinion publik janë dhënë disa nga arsyet pse ai dyshohet se mund ta ketë vrarë gruan e tij.
Për këtë Insajderin ka kontaktuar ekspertin e sigurisë, Bedri Elezi. Ai ka shpalosur një variant tjetër, mundësi pse ka ndodhur vrasja
Elezi tha se bashkëshortja e tij, Liridona ka pasur informacione për një vepër të krimit të organizuar në kohën kur Naim Murseli ishte këshilltar i atëkohë zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit.
Në këtë biznes kriminal, eksperti i sigurisë thotë se përveç Behgjet Pacollit dhe Naim Murselit ishin të përfshirë edhe persona tjerë të afërt me ish-zëvendësministrin.
“Neve kishim informacion që vrasja ka të bëjë me një çështje tejet të ndërlikuar, por, për shkak se ishte situatë e tillë dhe ishin hetimet fillestare, nuk kemi dashur që të pengojmë apo ç’orientojmë pistat e hetueseve në rastin konkret. Atë informacion që neve e kemi pasur, njëherë kemi dyshuar që e ndjera ka pasur informacione, të cilat informacione mund të e inkriminojnë ish-bashkëshortin e saj tani i dyshuar në vepra të tjera si dhe persona të tjerë dhe në bazë të asaj i njëjti është ndjerë i rrezikuar dhe për atë ka marrë veprim për organizimin apo sajimin e një vrasje siç e kemi parë”, ka thënë Elezi për Insajderin.
Ai madje thekson se në atë kohë Pacollit i ishte refuzuar vizita nga shteti i Suedisë për shkak të dyshimit të veprës së organizuar kriminale që lidhej me këtë shtet.
“Dyshimet janë se në kohën kur Behgjet Pacolli ishte zëvendëskryeministër dhe njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme i ishte refuzuar vizita e tij në Suedi, nën dyshimin për një vepër të krimit të organizuar që lidhej me Suedinë. Dhe më këtë rast dyshohet se ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme në atë kohë vetëm ishte në marrëdhënie dhe kishte në plan organizimin e biznesit në Suedi, prandaj dyshimet tona kanë qenë, që e ndjera mund të privohet nga jeta pikërisht për shkak se në rastin konkret personi i dyshuar (Naim Murseli) ka mund të jetë i implikuar në veprat të cilat do ta inkriminonin atë dhe persona të tjerë. Mbase autoritetet e Suedisë kishin shpreh interesim për një rast në atë kohë i cili ka qenë goxha interesant”, u shpreh ai.
Elezi sqaroi se bëhet fjalë për një biznes në Suedi, ku ishte kryer vepra e shmangie tatimore e evazionit fiskal
“Në fakt fjala është për një biznes ku dyshohej se këshilltari i tij ishte i përfshirë në një biznes në Suedi meqë rast kishte kryer vepër shmangie tatimore apo evazion fiskal, në atë kohë – ku në rastin konkret ishte përmendur edhe emri i zëvendëskryeministrit të Kosovë me çka edhe ishte refuzu vizita e tij nga autoritetet suedeze në Suedi”, deklaroi ai për Insajderin.
“Deri më tani nuk mund të them me saktësi për llojin e biznesit që është zhvillu por e di që në rastin konkret është përfshi edhe një familjar apo njëri nga anëtarët e kompanisë të familjes Pacolli”, theksoi Elezi.
Eksperti i sigurisë për Insajderi ka hedhur poshtë mundësinë se vrasje të ketë ndodhur për shkak orientimit seksual të Murselit.
“Neve s’kemi pasur informacion për një rast të tillë, por organizmi i vrasjes së tillë nuk të lenë më nenkuptu që ka të bëjë me orientim seksual sepse të njëjtit do të ishin ndarë për një rast të tillë dhe në asnjë mënyrë të shkonin deri tek mënyra e inskenimit, mënyra se si është organizu vrasja le më shumë me besu që tanimë e ndjera është privu nga jeta vetëm me qëllimin e mbajtjes së saj sekrete ku mund të jenë të implikuar edhe persona të tjerë”, deklaroi ai.
Kujtojmë se në fshatin Rracaj të Gjakovës, është bërë rivarrimi i trupit të Liridona Ademajt, e cila u vra mbrëmjen e 29 nëntorit në Prishtinë.
Me kërkesë të familjes është zhvarrosur nga varrezat e fshatit Cërmjan.
Për vrasjen e Liridona Ademajt janë arrestuar tre persona ndaj të cilëve është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili dyshohet se ka orkestruar vrasjen e bashkëshortes së tij