Real Madridi ka dëshpëruar, duke e nisur me barazim kampionatin spanjoll, në udhëtim te Mallorca.
“Los Blancos” barazuan me rezultat 1:1, sfidë ku heroi për vendasit ishte ylli i Kosovës Vedat Muriqi.
Real Madridi e nisi më mirë, duke krijuar disa aksione të bukura, me Rodrygon që shënoi një gol fantastik pas 13 minutave lojë.
Mbappe kishte një mundësi të mirë për ta dyfishuar epërsinë, por që goditja e tij doli të jetë mbi rrjetë.
Në pjesën e dytë, Mallorca bëri lojë më të mirë. Ishte Muriqi që e tundi rrjetën e Courtoisit, pas një harkimi fantastik të Daniel Rodriguezit (53’).
Real Madridi pastaj mori dominimin duke bërë çmos për ta rikthyer avantazhin, mirëpo që assesi s’e thyen mbrojtjen e hekurt të Mallorcas.
Vlen të ceket se mbrojtësi Ferland Mendy mori kartonin e kuq shkaku i një ndërhyrje nga mbrapa te Muriqi krejt në fund (90+6′).
Kësisoj, Reali dhe Mallorca arkëtojnë nga një pikë në xhiron hapëse të La Liga-s.