Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Hoçë e Madhe, në Rahovec, ku një grua 85-vjeçare ka humbur jetën pasi shtëpia e saj u përfshi nga zjarri.
Sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, incidenti ndodhi më 29 mars 2025, rreth orës 14:55.
Pas shuarjes së zjarrit, në brendësi të shtëpisë është gjetur pa shenja jete viktima, një grua rreth 85 vjeçare, shtetase e Kosovës dhe pjesëtare e komunitetit serb. Vdekja e saj u konstatua në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.
Sipas hetimeve të para, dyshohet se zjarri ka shpërthyer aksidentalisht për shkak të një stufe, me të cilën viktima po ngrohej. Policia ka bërë të ditur se shkaku i vdekjes do të vërtetohet pas ekzaminimit mjeko-ligjor, proces që është urdhëruar nga prokurori i shtetit. Pas hetimeve, është iniciuar rasti “incident zjarri” dhe “hetim i vdekjes.”