Në mesditën e sotshme në rrugën “Ferat Dragaj” në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, u gjend e vdekur një 30-vjecare.
Në vendin e ngjarjes rrugët janë të bllokuara dhe të pranishëm përveç forcave policore dhe njësiteve mjekësore në ndihmë erdhi dhe Mjekësia Ligjore.
Nga Policia kanë thënë se viktima është gjetur e lënduar në afërsi të një objekti në rrugën “Ferat Dragaj” në kryeqytet, shkruan lajmi.net.
“Rreth orës 13:00, kemi pranuar informatën për një person të lënduar, të shtrirë në afërsi të një objekti në rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
Ajo ka shtuar se ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar se viktima është pa shenja jete.
“Policia dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e personit (femër)”, ka thënë tutje Ahmeti për lajmi.net.
Ahmeti ka thënë në fund se aktualisht policia po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit.