Ish-Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen dhe të afërmit e profesorit dhe politikanit të shquar Alush Gashi, i cili vdiq ditën e sotme.
Osmani tha se profesor Alush Gashi na la në kohën kur shembulli i njeriut të dijes, të urtësisë e të përbashkimit na duhet më së shumti.
“Profesori i shquar i anatomisë, njeriu i përkushtuar ndaj dijeve, e zbërtheu anatominë tonë politike dhe, bashkë me prijësin tonë historik, Presidentin Rugova, i dha udhë vizionit për shtetin”.
“Nga Shtëpia e vogël e Lidhjes së Shkrimtarëve në Prishtinë e deri te Shtëpia e madhe e Bardhë në Washington e gjithandej globit, ai foli për Kosovën duke e gdhendur fjalën e duke e skalitur mendimin. Diplomat në sjellje, i urtë në mendim, njerëzor e i afërt me të gjithë, i fortë në qëndrime e në aleanca, ai na e la përfytyrimin e pashlyeshëm për shtetin”.
“Ngushëllime të sinqerta për familjen Gashi dhe miqtë e bashkëpunëtorët e shumtë që sot përjetojnë dhimbje për këtë humbje të madhe. I përhershëm kujtimi për Ty, profesor Alush”, shkroi Osmani.






