Publicisti Laert Vasili ka komentuar në Debat Plus protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke i dalluar ato nga protestat e mëparshme, të cilat zgjatën mbi 100 ditë dhe u njohën si “Revolucioni Flamingo”.
Vasili ka thënë se lëvizja studentore është marrë peng nga forca të tjera, ndërsa ka thënë se pas paraqitjeve të tij televizive për protestat ka marrë mesazhe kërcënuese.
“Lëvizja studentore, nëse mund ta quaj kështu, u mor peng. Edhe është marrë peng nga forca të errëta, të cilat në këto tri ditë, që unë kam dalë në televizione për të thënë atë të vërtetë që unë perceptoj, telefoni im është mbushur me mesazhe kërcënuese dhe e kuptova se sa e pasur është gjuha shqipe në sharje dhe mallkime”, ka deklaruar Vasili.
Ndërkohë, protesta e studentëve, pedagogëve dhe të rinjve në Tiranë ka hyrë në ditën e 14-të.
Protestuesit fillimisht janë grumbulluar para Ministrisë së Arsimit, ku kanë qëndruar për rreth dy orë, e më pas janë zhvendosur para Kryeministrisë, duke përsëritur kërkesat e tyre dhe thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Grumbullimi është zhvilluar në qetësi, pa incidente apo përplasje me policinë. Përgjatë protestës, pjesëmarrësit kanë brohoritur thirrjet “Dorëheqje” dhe “Revolucion”.
Protestuesit kanë refuzuar sërish ftesën e Ramës për dialog, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre.






