Vajza e Sahit Jasharit: Babai ynë nuk i deshi privilegjet, vetëm vendin e lirë

- Advertisement -

Në ditën kur vendi po shënon përvjetorin e çlirimit, në Skenderaj iu dha lamtumira e fundit njërit nga themeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare.

Burra e gra nga mbarë vendi u mblodhën në një mbledhje komemorative për nder të Sahit Jasharit, ish-komandant i policisë ushtarake në Drenicë.

Të pranishmëve, iu drejtua edhe vajza e tashmë të ndjerit, Vlora Jashari.

“Babi ishte njëri prej atyre burrave që jetën ia kushtoi atdheut, lirisë dhe dinjitetit të popullit shqiptar. Nga vitet e para të rezistencës nga të shtënat e para të lirisë në vitin 1991 e deri në ditët më të vështira të përpjekjes sonë kombëtare ai qëndroi i palëkundur në rrugën që kishte zgjedhur”, tha vajza e Sahit Jasharit, Vlora.

Ndonëse gjatë luftës ai ishte ndër figurat kyçe të UÇK-së, pas luftës, Sahit Jashari nuk pranoi të merrte asnjë post politik.

E gjithë kjo me një qëllim.

“Babai ynë nuk deshti privilegje ai deshti vetëm ta shinte vendin e tij të lirë, popullin e tij të dinjitetshëm dhe brezat që vijnë të jetojnë pa frikë, tërë jetën ia kushtoi këtij ideali dhe për këtë arsye në sot nuk kujtojmë vetëm më dhimbje por edhe me krenari”, tha Vlora Jashari, e bija e Sahitit.

E gjithë ceremonia u bë nën përkujdesjen e komunës së Skenderajt, ku këtu foli edhe nënkryetari i komunës, Fadil Nura.

“Jeta e Sahiti ishte e lidhur ngushtë më përpjekjet për lirinë  në kohën kur atdheu ynë po kalonte sprova të rënda, ishte koha kur çdo veprim për çështje kombëtare bartë rrezik, kur shumë veperimtar jetonin ndërmjet sakrificës përpjekjes dhe pasigurisë, ishte koha e madhe e pyetjes të jesh apo të mos jesh?”, tha nënkryetari Fadil Nura.

Në mbledhjen komemorative disa fjalë i tha edhe Gazmend Syla, në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

“Vëlla Sahit i paske dashtë heronjtë më shumë se këtë botë e më shumë se neve, të paska marrë malli për prindërit e bashkëluftëtarët e sot paske vendos me festu ditën e clirimit me ta. Me mbajt peshën e dhimbjes sa të jetë jeta”, tha Gazmend Syla nga OVL-UÇK.

Sahit Jashari ndërroi jetë në moshën 61 vjeçare pas një sëmundje të rëndë.

Të ngjashme

Të fundit