USA Today: Kosova, një histori suksesi në Ballkan

- Advertisement -

Nga një vend i perceptuar për vite me radhë përmes rindërtimit pasluftës, Kosova po ndërton një identitet të ri ekonomik, të bazuar në investime, inovacion, teknologji, energji dhe kapital njerëzor. Ky është mesazhi kryesor i raportit special të publikuar nga USA Today, i cili e paraqet Kosovën si një nga tregjet me potencial në zhvillim në Evropën Juglindore.

Raporti “Kosovo: A Balkan Success Story”, i publikuar nga One World Media, thekson se Kosova po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e investitorëve për shkak të kombinimit të tri faktorëve kryesorë: potencialit afatgjatë të rritjes, kostove konkurruese dhe fuqisë punëtore të adaptueshme.

Ai thekson se Kosova, me popullsinë më të re në Evropë, pozitën strategjike në qendër të Ballkanit dhe një fuqi punëtore gjithnjë e më të lidhur me tregjet ndërkombëtare, po tërheq vëmendje në sektorë si energjia, financat, teknologjia, shëndetësia dhe prodhimi.

Sipas raportit, për shumë vite Kosova është parë kryesisht përmes historisë së pasluftës dhe rindërtimit, ndërsa sot perceptimi ndërkombëtar po ndryshon.

“Për vite me radhë, Kosova ekzistonte kryesisht jashtë bisedës kryesore për investimet evropiane, pasi audiencat ndërkombëtare historikisht e shihnin vendin përmes lenteve të rimëkëmbjes pasluftës dhe jo përmes mundësive ekonomike”, thuhet në raport.

Sot, vendi po prezantohet si një treg që kombinon potencialin afatgjatë të rritjes, kostot konkurruese dhe një fuqi punëtore të re e të përshtatshme për ekonominë moderne.

“Kosova është e nënpërfaqësuar, pavarësisht se është një ekonomi e vogël, por e fortë në mes të Evropës”, ka deklaruar Shpend Luzha, Drejtor Ekzekutiv i Bankës Ekonomike.

Bizneset kosovare drejt tregjeve të huaja

Sipas raportit, bizneset në Kosovë po kalojnë nga kompani të krijuara për nevoja lokale në kompani me ambicie rajonale dhe ndërkombëtare. Një brez i ri sipërmarrësish po zhvillon biznese në teknologji, shërbime digjitale dhe fusha të tjera me orientim global.

Ai thekson se madhësia e tregut të Kosovës nuk duhet parë si kufizim, por si mundësi përmes integrimit rajonal dhe lidhjeve ekonomike. Sipas Mimoza Kusari-Lilës, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, marrëveshjet tregtare e shndërrojnë Kosovën nga një treg i vogël në një portë drejt tregjeve më të mëdha.

“Këto marrëveshje në mënyrë efektive e transformojnë Kosovën nga një treg vendas prej rreth 1.5 milionë njerëzish në një portë drejt një baze shumë më të madhe rajonale dhe ndërkombëtare”, citohet ajo në raport.

Banka Ekonomike dhe zhvillimi financiar

Një pjesë e veçantë e raportit i kushtohet Bankës Ekonomike, si banka e vetme plotësisht në pronësi vendore në Kosovë. Për 25 vite, banka ka qenë pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit, duke mbështetur individët, bizneset e vogla, kompanitë e mëdha dhe diasporën.

Sipas Shpend Luzhës, sektori bankar i Kosovës është ndërtuar mbi stabilitet, kapitalizim të fortë dhe rregullim të kujdesshëm.

“Është një sektor i mirëkapitalizuar, shumë i rregulluar dhe kjo ka krijuar një bazë të madhe besimi për klientët dhe palët e interesuara në tregun bankar”, ka deklaruar ai.

Energjia, një shtyllë e zhvillimit të Kosovës

Raporti i USA Today-it i kushton një hapësirë të rëndësishme sektorit energjetik, i cili për vite ka qenë një nga sfidat kryesore të Kosovës. Modernizimi i rrjetit elektrik ka sjellë ndryshime të mëdha. Sipas raportit, KEDS-i ka investuar mbi 340 milionë dollarë në përmirësimin e infrastrukturës së shpërndarjes së energjisë. Ai ka theksuar se Kosova po kalon drejt një faze të re të modernizimit.

“Energjia e besueshme është një nga themelet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Ne po kalojmë nga investimet në infrastrukturë drejt investimeve teknologjike. Qëllimi është të menaxhojmë rrjetin në mënyrë më efikase dhe të reagojmë më shpejt”, ka deklaruar Alpin Dogan, CEO i KEDS-it.

Kosova po synon gjithashtu rritjen e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, përfshirë energjinë diellore, atë të erës dhe teknologjitë e ruajtjes së energjisë.

Talenti kosovar dhe teknologjia

Raporti thekson se fuqia e Kosovës nuk qëndron vetëm te kostot konkurruese, por te talenti dhe aftësitë e fuqisë punëtore. Në sektorët teknologjikë dhe të shërbimeve profesionale, kompanitë vendore po integrohen gjithnjë e më shumë në tregjet ndërkombëtare. Mergim Cahani, themelues dhe CEO i Gjirafës, ka thënë se:

“Kosova duhet të shihet si një nga mundësitë e fshehura të Evropës.”

Shëndetësia dhe standardet e reja

Në pjesën përmbyllëse të raportit “Kosovo: A Balkan Success Story”, USA Today i kushton vëmendje të veçantë sektorit të shëndetësisë, duke e paraqitur atë si një nga fushat me potencial të madh zhvillimi dhe investimi në Kosovë.

Raporti thekson se shëndetësia në Kosovë po hyn në një fazë të re, ku fokusi nuk është më vetëm në zgjerimin e qasjes në shërbime dhe produkte mjekësore, por në rritjen e cilësisë, transparencës dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare. Sipas raportit, kompanitë kosovare po ndryshojnë qasje, duke mos u fokusuar vetëm në rritjen e aktivitetit të tyre, por në ndërtimin e sistemeve që përmbushin kërkesat e tregjeve globale.

Një nga shembujt kryesorë të këtij transformimi është Meditech, kompani e themeluar në vitin 1999, e cila nga një distributor farmaceutik është zhvilluar në një partner të besueshëm për kompani ndërkombëtare të industrisë farmaceutike. Raporti vlerëson se zhvillimi i Meditech-it është ndërtuar mbi bazën e standardeve të rrepta të cilësisë, auditimeve të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë dhe respektimit të kërkesave globale për sigurinë e barnave.

Përmes përafrimit me standardet evropiane për Praktikat e Mira të Shpërndarjes së Barnave (Good Distribution Practice) dhe kërkesat e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), kompania synon që produktet farmaceutike të menaxhohen me standarde të njëjta me tregjet më të zhvilluara.

“Ne nuk po shpërndajmë vetëm barna, ne po sjellim standarde në tregun shëndetësor”, ka deklaruar Arianit Jakupi, CEO i Meditech-it.

Sipas Jakupit, roli i kompanive farmaceutike nuk kufizohet vetëm në furnizimin e tregut, por edhe në krijimin e një sistemi më të sigurt dhe më cilësor për pacientët. Raporti thekson se një nga prioritetet kryesore të Meditech-it është zgjerimi i qasjes së pacientëve në terapi që aktualisht nuk janë të disponueshme në Kosovë, përmes bashkëpunimeve me kompani të njohura globale.

“Kjo nuk është vetëm për të bërë biznes; është për të ofruar shërbime që janë të domosdoshme për popullatën”, ka thënë Jakupi.

Sipas tij, sjellja e terapive të reja në tregun kosovar përfaqëson një mundësi për të përmirësuar kujdesin ndaj pacientëve dhe për të afruar shërbimet shëndetësore me standardet evropiane. Raporti vlerëson se sektori i shëndetësisë në Kosovë ka potencial të konsiderueshëm për zgjerim, pasi kërkesa për shërbime cilësore, institucione moderne dhe teknologji të reja mjekësore vazhdon të rritet.

Shpenzimet shëndetësore në Kosovë mbeten ende nën mesataren evropiane, duke krijuar hapësirë për investime të reja në infrastrukturë, shërbime të specializuara, produkte farmaceutike dhe teknologji shëndetësore. Përfaqësuesit e sektorit theksojnë se sfida e ardhshme nuk është vetëm rritja e kapaciteteve, por garantimi i një niveli më të lartë të cilësisë dhe barazisë në kujdesin shëndetësor.

“Pacientët duhet të marrin të njëjtin nivel kujdesi, pavarësisht se ku jetojnë”, ka theksuar Jakupi.

Sipas raportit, zhvillimi i sektorit shëndetësor është një tregues i rëndësishëm i transformimit ekonomik dhe institucional të Kosovës.

Kosova me potencial për investime të reja

Raporti vlerëson se sfidat vazhdojnë të ekzistojnë, por drejtimi i zhvillimit është pozitiv. Kosova po ndërton një ekonomi të bazuar jo vetëm në kosto konkurruese, por në dije, inovacion, talent dhe aftësi për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.

Të ngjashme

Të fundit