Botë

Ukraina sanksionon 100 individë të përfshirë në deportimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas në Rusi

By GAZETA SCANNER 1

November 20, 2023

Të paktën 100 individë u sanksionuan nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës për përfshirjen e tyre në rrëmbimin dhe deportimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas. Në listën e sanksioneve u përfshinë gjithashtu 40 persona juridikë rusë, sipas asaj që raportuan mediat ukrainase.

Organizata e qeverisë ukrainase Fëmijët e Luftës vlerëson se të paktën 19,546 fëmijë ukrainas janë rrëmbyer dhe marrë me forcë, megjithëse numri aktual ka të ngjarë shumë më i lartë.

53 vjeçarja Svitlana Maiboroda është një ish-zyrtare ukrainase, e cila filloi të bashkëpunojë me autoritetet ruse pasi forcat ruse pushtuan rajonin e Donetsk në vitin 2014. Ajo aktualisht punon si drejtuese e të gjitha shërbimeve sociale për familjet dhe fëmijët në pjesët e pushtuara nga Rusia.

Një film dokumentar i Kyiv Independent zbuloi se si zyrtarët si Maiboroda i penguan fëmijët në rajonin e Donetskut të pushtuar nga Rusia të ribashkoheshin me kujdestarët e tyre ligjorë dhe u dërguan në Rusi kundër vullnetit të tyre. Kyiv Independent mori një listë me 31 fëmijë ukrainas që u deportuan si grup./abcnews.al/