Përzgjedhësi i Anglisë, Tomas Tuchel, ka zbuluar se përgatitja për gjysmëfinalen e Kupës së Botës ndaj Argjentinës nuk është fokusuar vetëm te aspekti taktik, por edhe te gjendja psikologjike e futbollistëve.
Në konferencën për media para sfidës që do të zhvillohet sonte në Atlanta, tekniku gjerman theksoi se në duele të këtij niveli është po aq e rëndësishme ruajtja e qetësisë sa edhe përgatitja në fushë.
Duke folur për rivalitetin mes dy kombëtareve, Tuchel vlerësoi se historia e kësaj përballjeje flet vetë dhe nuk ka nevojë për motivim shtesë.
“Sigurisht që kemi të bëjmë me dy skuadra me rivalitet të madh. Na pret një ndeshje me intensitet të lartë, por të them të drejtën nuk e kam përdorur këtë atmosferë për të motivuar lojtarët. Në fakt, të dy ekipet e dinë fare mirë rëndësinë e këtij takimi”, u shpreh Tuchel.
Trajneri anglez zbuloi edhe mënyrën e veçantë me të cilën përpiqet t’i largojë futbollistët nga presioni para një ndeshjeje kaq të madhe.
“Ndonjëherë mjafton një vend parkimi bosh, një biçikletë dhe një akullore. Për të gjetur qetësinë e nevojshme për të luajtur një ndeshje si kjo duhet të përjetosh momente që na kujtojnë fëmijërinë”, tha ai.
Anglia dhe Argjentina do të përballen për një vend në finalen e Kupës së Botës 2026, në një duel që pritet të jetë ndër më spektakolarët e turneut.






