Kurti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Vettingu, si më i rëndësishmi për drejtësinë e Kosovës, “po merr rrugë“.
Kurti ka thënë se kanë themeluar dhe funksionalizuar Gjykatën Komerciale, që sipas tij është bërë ashtu siç e patën premtuar, dhe kanë miratuar në qeveri projektligjin për themelimin e Gjykatës Administrative.
“E kur gjërat janë varur nga ne, punët kanë ecur më shpejt. Kemi themeluar dhe funksionalizuar Gjykatën Komerciale, siç patëm premtuar, dhe kemi miratuar në qeveri projektligjin për themelimin e Gjykatës Administrative, siç kemi premtuar. E kemi themeluar dhe funksionalizuar Institutin për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë. Në janar të këtij viti u bë edhe pranim dorëzimi i dokumenteve të para në këtë Institut. Po ashtu, kemi mundësuar gjykimin në mungesë për kriminelët e luftës.” – ka shkruar Kurti në Facebook.
Mirëpo pas këtij postimi të Kurtit, njohës të çështjeve të drejtësisë reaguan ashpër, duke i numëruar dështimet e Qeverisë në këtë sektor.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka përmbledhur disa nga sukseset dhe dështimet e Qeverisë së Kosovës në drejtësi për tri vite, nën drejtimin e kryeministrit, Albin Kurti.
Miftaraj ka thënë se suksese e kësaj qeverie në drejtësi është çështja e Vetting-ut, themelimi dhe funksionalizimi i Gjykatës Komerciale, miratimi i ligjeve për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe atë për Deklarimin e Pasurisë dhe disa ligje të tjera.
Ndërsa sa i përket dështimeve, Miftaraj ka thënë se njëra prej tyre është “Reformimi i sistemit të drejtësisë penale, civile dhe administrative.
“Reformimi i sistemit të drejtësisë penale, civile dhe administrative. Tre vite të shkuara dëm. Edhe pas tre viteve reforma në sistemin prokurorial është në fazën ZERO. Projekt-ligji për KPK është në Kuvend. I njëjti projektligj është konsideruar nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese se i cenon parimet e sundimit të ligjit. Të shpresojmë që së paku gjatë vitit 2024 ky ligj të miratohet dhe të hyj në fuqi. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, përbërja e KPK do të ndryshoj tek pas dy ose tre viteve. Pra, reforma në KPK nuk do të arrijë të realizohet në mandatin e kësaj Qeverie.”
“Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është në Gjykatën Kushtetuese. Draftin e parë të këtij Ligji Komisioni i Venecias e kishte konsideruar në tërësinë e tij si ligj kundër standardeve që garantojnë dhe promovojnë drejtat dhe liritë e njeriut.” – ka shkruar Miftaraj në Facebook.
Nga ana tjetër, edhe koordinatori për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda ka shkruar se nga qeverisja e Kurtit, asnjë nga premtimet kryesore që janë dhënë për fushën e drejtësisë nuk janë realizuar.
“TRI VITE DËSHTIM TË QEVERISË KURTI NË DREJTËSI.” – ka shkruar ai, duke i numëruar disa nga dështimet,
Padia për gjenocid, Vetingu, Reforma në drejtësi, janë disa nga dështimet e Qeverisë, sipas Grudës.
“1. PADIA PËR GJENOCID – Është premtuar se do të ngritet padi për gjenocid ndaj Serbisë. Pas 3 viteve mandat, Qeveria nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Përkundrazi, Kryeministri Kurti është pajtuar për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë e cila parashikon që e kaluara jonë të tejkalohet, dhe po në këtë kohë është përkujtuar vdekja e kriminelit të luftës, Oliver Ivanović dhe është glorifikuar ish-kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiq. Nga ana tjetër nuk është thënë asnjë fjalë për të mbrojtur themeluesit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.”
“2. VETINGU – Është premtuar realizimi i vetingut brenda këtij mandati qeveritar, ende nuk ka filluar. Për këtë proces janë shpenzuar tri vite kohë nga Ministria e Drejtësisë pa asnjë rezultat. Komisioni i Venecias ka gjetur shumë vërejtje në Koncept Dokumentin për Vetingun dhe amandamentet kushtetuese të përgatitur nga kjo ministri. Puna për realizimin e vetingut ka filluar vetëm para pak muajve, pasi është themeluar Komisioni i Posaçëm Parlamentar për këtë proces, i propozuar nga PDK.”
“3. REFORMA NË DREJTËSI- U premtua reformimi i sistemit të drejtësisë, ndodhi e kundërta. U ulën pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë kundër-kushtetuese dhe në kundërshtim me standardet e Komisionit të Venecias.” – ka shkruar Gruda ndër të tjera. /Nacionale/