Mundësitë për të luajtur vazhdojnë të jenë të pakta për Edon Zhegrovën te Juventusi, ndërsa mediat italiane raportojnë se tri klube të ndryshme janë të interesuara t’i ofrojnë atij një rrugëdalje para hapjes së afatit kalimtar të janarit.
Zhegrova iu bashkua Juventusit në fund të afatit kalimtar të verës së vitit 2025, në një marrëveshje prej 15 milionë eurosh, plus bonuse. Megjithatë, gati 15 muaj më vonë, ai ende nuk ka arritur të paraqitet në formacionin titullar të bardhezinjve.
Problemet fizike bënë që ai të regjistronte vetëm 19 paraqitje në kampionat sezonin e kaluar, të gjitha duke u inkuadruar nga banka rezervë. Edhe nëntë paraqitjet e tij në sezonin 2026/27 kanë ardhur si zëvendësues.
82 minutat që luajti gjatë barazimit 0-0 të Kosovës ndaj Izraelit të shtunën ishin aktivizimi më i gjatë i Zhegrovës në një ndeshje të vetme në më shumë se dy vjet.
Përfaqësuesi i Kosovës mund të jetë njëri prej futbollistëve që Juventusi vendos t’i largojë për të krijuar hapësirë për përforcime të reja në janar. Ndërkohë, sipas raportimeve të “TMW”-së, edhe vetë futbollisti është i interesuar të largohet, në kërkim të më shumë minutave dhe një roli më të rëndësishëm në skuadër.
Kur të gjithë janë të gatshëm dhe në dispozicion, Zhegrova përballet me konkurrencë të fortë për një vend në ekip, nga futbollistë si Kenan Yildiz, Francisco Conceicao, Nico Gonzalez, Kerim Alajbegovic, Jeremie Boga dhe lojtari i gjithanshëm Weston McKennie.
Sipas raportimit të së dielës nga “TMW”, të paktën tri klube të ndryshme janë të interesuara t’i ofrojnë Zhegrovës mundësinë e largimit nga Juventusi.
Skuadra saudite Al-Ittihad raportohet se kishte bërë një interesim në fund të afatit kalimtar të verës dhe vazhdon të jetë e interesuar edhe pas lëndimit të anësorit të ri Roger Fernandes.
Megjithatë, Zhegrova ka alternativa edhe në Evropë. Monaco, që garon në Ligue 1 të Francës, dhe Besiktasi, në Superligën turke, thuhet se janë gjithashtu të interesuara për shërbimet e futbollistit kosovar.






