Federata e Futbollit të Kosovës e ka publikuar orarin e ndeshjeve të xhiros së 11-të.
Pesë ndeshjes e kësaj xhiroje do të luhen brenda tri ditësh.
Dueli i parë do të zhvillohet të premten (nesër) duke filluar prej orës 18:00, ndërsa do të ballafaqohen Gjilani me Llapin.
Të përzgjedhurit e trajnerit Zekirija Ramadani do ta tentojnë fitoren e tretë radhazi, kurse përballë e kanë njërën prej skuadrave më në krizë – atë të Tahir Batatinës.
Të shtunën do të luhen dy ndeshje, e të dielën dy të tjera.
Të shtunën Ballkani dhe Malisheva synojnë fitore në udhëtimet e tyre ndaj Vushtrrisë, respektivisht Drenicës.
Por, edhe skuadrat vendëse do ta japin edhe atomin e fundit për të nxjerrë pikë nga duelet respektive.
E të dielën, Feronikeli 74 do ta ketë përballë ekipin në formë – Dukagjinin, me dy skuadrat që do t’i kërkojnë tri pikët.
Kurse, derbi i kësaj xhiroje mes Prishtinës dhe Dritës do të luhet në Kampin Nacional në Hajvali.
Prishtinasit janë treguar mjaft të fuqishëm në këtë sezon dhe prijnë në tabelë, prandaj edhe duan ta vazhdojnë serinë e pamposhtmërisë.
Kurse, gjilanasit vijnë po ashtu nga një formë solide dhe të këndellur, andaj edhe ata synojnë pikë në këtë udhëtim të vështirë.







