8.3 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Tri arsye pse Donaldi dështoi në Big Brother

- Advertisement -

Humbja e Donald Veshajt në finalen e Big Brother VIP ishte e papritur. Prej të paktën dy muajsh, emri i tij përmendej si favorit absolut, sepse ka qenë epiqendra e këtij edicioni të ndjekur nga gjithë Shqipëria. 

Iliri cilësohej si lojtar i fortë, inteligjent, i zgjuar, por nuk kishte kurrsesi popullaritetin e aktorit të humorit. Me historitë e Bora Zemanit dhe të Beatrix Ramosajt, ai u bë një hit në rrjetet sociale. Arbana Osmani, duke nuhatur se Donaldi po lodhej me kalimin e javëve, aq sa spekulohet se një herë ka kërkuar largimin, i shkeli paksa rregullat, duke ia thënë publikisht: “Donald, ti ke qenë kryefjala e Big Brother VIP”. 

Nuk ia tha vetëm një herë, por dy herë. Nuk ishte rastësi. Arbana nuk ishte një fanse e Donaldit, por e dinte fare mirë se Big Brother VIP, Top Channel dhe familja Hoxha kishin nevojë për situatat që krijonte Donaldi. Më saktë, për situatat që krijoheshin. Ai vetë ka bërë pak gjëra. Më shumë ka qenë i përfshirë automatikisht, sesa ka krijuar ndonjë situatë nga e para.

Kalojmë te 3 arsyet pse Donaldi nuk e fitoi Big Brother VIP, edhe pse ishte favorit në të gjitha sondazhet online në javën e fundit të garës. 

Së pari, duke jetuar në Shqipëri, me mentalitet ende të vyshkur krahasuar me botën perëndimore, fituesi i këtij formati nuk mund të ishte kurrsesi një djalë, i cili ka tradhtuar dikë. Madje, dikë si Bora Zemani, vajza më trend në botën televizive në dy vitet e fundit. Shqiptarët nuk e tolerojnë tradhtinë, as kur atë e bën mashkulli dhe jo femra. Donaldi nuk e menaxhoi mirë këtë situatë dhe kënga e Semit (praktikisht e Borës) tri ditë para finales e dha efektin e saj.

Së dyti, Donaldi asnjëherë nuk e tregoi veten si një aktor i vërtetë, orator, me aftësi të shkëlqyera komunikimi. Iliri po, edhe pse ka mbi 20 vite që jeton në Itali. Donaldi ka vuajtur tejmase për të artikuluar mendimet e tij dhe rrallëherë ka treguar se është aktor humori. Batutat e tij kanë qenë sporadike dhe kryesisht i ka kaluar duke trembur Monikën apo ndonjë vajzë të shtëpisë. Në thuajse të gjitha duelet tek për tek me Ilirin, ai ka humbur. Ky i fundit i ka menaxhuar më mirë situatat, duke ia kuptuar pikat e dobëta vlonjatit. “Më li të flas” u bë batutë, por edhe reflektoi gafat në komunikim të Donaldit. Besojmë se i mbani mend netët e para të spektaklit, kur ai mbyllte veshët, sepse nuk e kontrollonte veten. Të paktën duhej të kishte përgatitur një referat më bindës për lidhjen me Beatrix Ramosajn, por nuk e bëri kurrë

Së treti, aktori ishte më shumë i pafat, sesa me fat, për lojën e vëllait të tij binjak jashtë shtëpisë. Po, Romeo ishte spektakolar me gjestet, idetë, veprat, surprizat dhe njohjet e tij në funksion të vëllait të tij, por nga fundi e teproi shumë. Ai përdori personazhet VIP për të mbështetur Donaldin, por situata agravoi disi dhe njerëzit filluan të mërziteshin. Ndihma e tij nga jashtë filloi të dukej si fushatë elektorale dhe shqiptarët nuk t’i falin detaje të tilla. Imazhet e Donaldit në rrugët e Vlorës apo në Prishtinë ishin të tepruara. Ai nuk po kandidonte si hero kombëtar apo për kryetar bashkie. Shtojmë këtu edhe lajmin e kompanive “call-center” me temën e mesazheve që duhej të dërgonin punonjësit (nëse ka qenë lajm i vërtetë) dhe… e kuptoni sa problematike u bë situata.

Për këto tri arsye themelore, Donaldi nuk ia doli të mposhtte Ilirin. Balerini fitoi një garë të vështirë, me plot mund dhe sakrifica, duke kuptuar pikat e dobëta të rivalit. Donaldi i la gjërat të ecnin vetë dhe ra në rrjedhën e disa ngjarjeve që nuk i kishte përgatitur vetë. Iliri ishte ndryshe: ai iu paraprinte ngjarjeve ose i krijonte vetë. Shkurt, Donaldi ishte produkti i Big Brother VIP, por jo fituesi.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit