Trepça e “shkel” Pejën, dominon në duelin e tretë të serisë gjysmëfinale

- Advertisement -

Trepça ka regjistruar fitore bindëse në “Minatorin” e stërmbushur në Mitrovicë dhe i është afruar finales së plejofit të elitës së basketbollit kosovar.

Trepça e mposhti Pejën me rezultatin e thellë 123:79, dhe tani është vetëm një fitore larg për të avancuar në finale, e për ta kërkuar një tjetër titull. 

Ballafaqimi i së enjtes u takoi në tërësi mitrovicasve që dominuan nga fillimi. 

26:21 dhe 28:17 përfunduan dy çerekët e parë, ndërsa Trepça shkoi në pushim me epërsi 54:38. 

Me rezultatin 30:20 përfundoi periudha e tretë, teksa shpërthimi i skuadrës që udhëhiqet nga trajneri

Adis Beqiragiq ishte në dhjetë minutat e fundit të ballafaqimit. 

U mbyll me rezultatin 39:21 dhe Trepça iu gëzua fitores me 44 pikë dallim. 

Ja’cori Payne dhe Drilon Hajrizi ishin prej më meritorëve për këtë fitore të thellë të Trepçës. Statistika më të mira pati Payne që e mbylli ndeshjen me 16 pikë, tetë asistime e pesë kërcime, derisa plot 26 pikë i shënoi Hajrizi. Hajrizi i shtoi edhe tri kërcime e dy asistime. 

Mustapha Amzil kontribuoi në fitore me 14 pikë, tetë kërcime e një asistim. 

Cesare Edwards i kishte statistikat më të mira te Peja me 18 pikë e pesë kërcime, derisa Daquan Bracey i shënoi 23 pikë, ndërsa i pati edhe katër asistime e dy kërcime. 

Trepça në “Minatori” e kishte fituar të enjten e kaluar edhe ndeshjen e parë të serisë gjysmëfinale me rezultatin 86:78. Më pas u mposht në “Karagaçi” me rezultatin 95:93. Tani seria e gjysmëfinaleve bartet në Pejë sërish. Të dielën nga ora 19:30 zhvillohet ndeshja e katërt që mund të jetë e fundit në rast të fitores së mitrovicasve. Në rast të fitores së Pejës, të enjten do të luhej dueli përfundimtar për vend në finale. Skuadra që i shënon tri fitore avancon tutje. 

Dhe në finale do të përballet me fituesin e ndeshjes Bashkimi – Bora. Edhe Bashkimi ka epërsi 2:1 në serinë gjysmëfinale. Bora e Bashkimi takohen në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, të shtunën nga ora 19:30.

Të ngjashme

Të fundit