Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një përleshjeje fizike që ka ndodhur të hënën rreth orës 19:00 në Komoran.
Sipas zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana dy prej tyre dyshohet se janë lënduar me një mjet të mprehtë.
Ai ka konfirmuar se të lënduarit kanë marrë trajtim mjekësor.
“Sot rreth orës 19:00 kemi pranuar informatën për një përleshje fizike në Komoran. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Nga informatat fillestare, raportohet se tre persona kanë mbetur të lënduar, dy prej të cilëve dyshohet se janë lënduar nga një mjet i mprehtë. Të njëjtit kanë pranuar trajtim mjekësor”, ka deklaruar Pllana.
Pllana ka bërë të ditur gjithashtu se njësitet kompetente po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar personat e përfshirë në këtë rast.






