Tre kombëtare në festë! Kualifikohen Holanda, Japonia dhe Suedia

- Advertisement -

Grupi F në Botëror ka dhënë verdiktet përfundimtare. Holanda u kualifikua si e para, pas fitores 3-1 ndaj Tunizisë.

“Tulipanët” e nisën ndeshjen vrullshëm, me avantazhin e dyfishtë, pas autogolit të Skhiri në minutën e 3-të dhe golit të Bobbey në minutën e 7-të.

Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa e dyta nisi me gol për Tunizinë, që ngushtoi shifrat me Mastouri në minutën e 54-t.

Megjithatë, Holanda vulosi fitoren, me golin e Van Hecke në minutën e 62-të, për të siguruar kreun me 7 pikë.

U kualifikua me tej edhe Japonia, si vendi i dytë me 5 pikë, pas barazimit 1-1 ndaj Suedisë. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa e dyta ishte tjetër histori.

Maeda i dha avantazhin aziatikëve në minutën e 56-të, por suedezët barazuan me një supergol të Elanga në minutën e 62-të.

Pavarësisht tentativave dhe rasteve deri në fund, rezultati nuk ndryshoi. Suedia renditet në vendin e tretë me 4 pikë dhe siguron matematikisht kualifikimin si një nga vendet e treta më të mira. /TV Klan/

Të ngjashme

Të fundit