Tre astronautët kinezë, pjesë e ekuipazhit të misionit Shenzhou-21, janë kthyer në Tokë pas një misioni që zgjati pothuajse shtatë muaj në hapësirë, raportojnë mediat shtetërore kineze.
Autoritetet kanë bërë të ditur se të gjithë astronautët janë në gjendje të mirë shëndetësore, raporton Associated Press, transmeton Klankosova.tv.
Misioni u nis më 31 tetor, kur anija kozmike u lëshua në hapësirë me një raketë “Long March-2F” nga qendra hapësinore Jiuquan, e cila ndodhet në shkretëtirën Gobi.
Gjatë qëndrimit në orbitë, ekuipazhi ka realizuar një sërë detyrash shkencore dhe teknike, përfshirë përpunimin dhe transmetimin e të dhënave eksperimentale, si dhe transportimin e furnizimeve drejt stacionit hapësinor.
Po ashtu, astronautët kanë kryer edhe tre dalje në hapësirë (spacewalks), të cilat kanë shërbyer për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e pajisjeve në stacionin hapësinor kinez.
Zëdhënësi i agjencisë hapësinore kineze, Zhang Jingbo, deklaroi se astronauti Zhang Lu, i cili kishte marrë pjesë edhe në misionin Shenzhou-15, ka kryer gjithsej shtatë dalje në hapësirë gjatë karrierës së tij, duke u bërë astronauti kinez me numrin më të madh të aktiviteteve të tilla jashtë anijes kozmike.
Sipas tij, ky rekord e vendos Zhang Lu ndër astronautët më me përvojë në programin hapësinor të Kinës.
Autoritetet kineze kanë vlerësuar misionin Shenzhou-21 si të suksesshëm, duke e cilësuar atë si një hap tjetër të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve të Kinës në eksplorimin e hapësirës dhe zhvillimin e kërkimeve shkencore në orbitë.






