Nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, duke e akuzuar për dështime në ekonomi, diplomaci dhe reformat e brendshme.
Totaj ka thënë se Kurti është shndërruar nga “mjeshtër i popullizmit opozitar” në një qeverisje ku, sipas tij, premtimet e mëdha janë zëvendësuar me arsyetime.
Sipas tij, premtimet për ndryshim dhe sovranitet janë shoqëruar me marrëveshje që dikur kundërshtoheshin nga Vetëvendosje, ndërsa dështimet diplomatike dhe ekonomike, sipas Totajt, paraqiten si “fitore morale”.
Në reagimin e tij, nënkryetari i PDK-së ka kritikuar edhe gjendjen ekonomike, duke pretenduar se rritja e çmimeve dhe inflacioni janë shoqëruar me statistika dhe deklarata qeveritare që nuk pasqyrojnë realitetin e qytetarëve.
Totaj ka akuzuar gjithashtu Qeverinë Kurti për përkeqësim të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe për izolim të Kosovës. Ai ka përmendur edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës, duke e lidhur këtë situatë me politikën e jashtme të qeverisë.
Sa i përket veriut, Totaj ka deklaruar se, pavarësisht pretendimeve për sukses dhe sovranitet, situata në terren vazhdon të karakterizohet nga tensionet dhe mungesa e një zgjidhjeje afatgjatë.
Në pjesën tjetër të reagimit, ai ka kritikuar Qeverinë edhe për ikjen e të rinjve dhe profesionistëve nga vendi, duke thënë se premtimet për punësim dhe kthimin e diasporës nuk janë realizuar.
Totaj ka përmendur edhe reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut, të cilat, sipas tij, kanë mbetur kryesisht në nivel të premtimeve dhe sloganeve politike.
“Teatri i përditshëm” është një tjetër akuzë e Totajt ndaj qeverisë, duke pretenduar se në vend të zhvillimit ekonomik dhe investimeve, qytetarëve u ofrohen deklarata dhe video-monologe ku përgjegjësia për problemet i atribuohet kundërshtarëve.






