Kryeprokuroria në Kosovë është vënë në lëvizje tek pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, gruas që paraprakisht kishte kërkuar mbrojtje nga shteti si viktimë e dhunës në familje. Kryeprokurori i shtetit, sipas komunikatës për media, “ka autorizuar koordinatorin nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë të gjitha veprimet e ndërmarra në trajtimin e rasteve, në të cilat viktimë ka qenë e ndjera”.
“Po ashtu, nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është kërkuar raport i detajuar me shkrim lidhur me kronologjinë e trajtimit të rasteve të së ndjerës, duke përfshirë identitetin e personave të raportuar dhe cilësimin juridik të rasteve; të dhënat për prokurorët kujdestarë dhe prokurorët që i kanë trajtuar rastet; veprimet procedurale të ndërmarra dhe kohën e ndërmarrjes së tyre; vendimet e nxjerra dhe arsyetimin përkatës; vlerësimin e rrezikut dhe masat e kërkuara ose të ndërmarra për mbrojtjen e viktimës; komunikimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante; si dhe trajtimin e shkresës së viktimës të datës 22.10.2026 dhe çdo informacion tjetër me rëndësi për vlerësimin e plotë të veprimeve të Prokurorisë”, thuhet në komunikatë.
Kryeprokuroria thotë se edhe Inspektoratit Policor i është kërkuar të ndërmarrë veprime lidhur me trajtimin e të gjitha rasteve të raportuara nga ana e viktimës në Policinë e Kosovës.
“Në rast se konstatohen shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprime nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilën shkelje të evidentuar, pa asnjë tolerim ndaj përgjegjësisë institucionale apo individuale”, thuhet në fund të komunikatës.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e së dieles në Vitomiricë të Pejës. Ajo u godit me sëpatë nga kunati i saj i cili deri në momentin e publikimit të këtij artikulli është ende në arrati.
Paraprakisht, Zekaj kishte lajmëruar në polici rastin për dhunë në familje. Zyrtarët policorë, edhe pas raportimit e kishin kthyer viktimën në shtëpi. Pak kohë më pas, ajo u godit për vdekje.
Katër ditë më herët, Zeka i kishte kërkuar masa edhe Kryeprokurores në Pejë, Lumturije Vucetaj






