Unaza ikonike e fejesës e Princeshë Dianës me safir dhe diamante është bërë një nga pjesët më të famshme të koleksionit të saj të bizhuterive. Por kur Prince Charles i propozoi asaj në vitin 1981, kjo unazë jo vetëm që tërhoqi vëmendje, por edhe theu një traditë të gjatë mbretërore.
Ndryshe nga zakonisht, Diana, atëherë Lady Diana Spencer e zgjodhi vetë unazën e saj të fejesës. Ajo e përzgjodhi nga një katalog i shtëpisë së bizhuterive Garrard, një furnizues i njohur i familjes mbretërore. Unaza kishte një safir oval prej 12 karatësh nga Ceiloni, i rrethuar nga 14 diamante, dhe në atë kohë vlente mbi 37 mijë dollarë.
Kjo zgjedhje shkaktoi polemika, sepse ndryshe nga unazat e tjera mbretërore që bëheshin me porosi (unikate), kjo unazë ishte e disponueshme për publikun. Pra, kushdo që kishte mjaftueshëm para mund të blinte të njëjtën unazë si ajo e princeshës së ardhshme.
Dizajni i unazës ishte frymëzuar nga një karficë safiri që i përkiste Mbretëreshës Victoria, dhuratë nga bashkëshorti i saj Princi Albert në vitin 1840. Ajo e adhuronte aq shumë sa e vendosi në fustanin e saj të nusërisë si “diçka blu”. Kjo karficë u trashëgua ndër breza dhe u mbajt edhe nga Mbretëresha Elizabeth II. Kur Charles i paraqiti Dianës disa opsione unazash, ajo zgjodhi këtë model me safir dhe diamante, ndoshta edhe për ta përshtatur me sytë e saj blu.






