Thellohet kriza e Unitedit, mposhtet bindshëm në shtëpi nga Bournemouthi

- Advertisement -

Presioni ndaj trajnerit të Manchester Unitedit, Michael Carrick, është rritur ndjeshëm, pasi “Djajtë e Kuq” u turpëruan me humbje 0-3 nga Bournemouthi, duke pësuar disfatën e tretë në katër ndeshjet e fundit në shtëpi.

Ndërkohë, mysafirët e zgjatën në shtatë numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje në përballjet direkte mes këtyre dy skuadrave.

Me raportimet se tashmë po përgatiten zëvendësues të mundshëm për të, pas humbjes katastrofale në mesjavë ndaj Comos, Carrick bëri një lëvizje të bujshme duke e lënë kapitenin Bruno Fernandes në bankën rezervë për një ndeshje që mund të përcaktonte të ardhmen e tij në klub.

Bournemouthi, që të enjten e kishte mposhtur thellë Milanin, shtatë herë kampion të Evropës, nuk kishte ndërmend t’i përmbahej skenarit të zakonshëm në “Old Trafford”.

Mysafirët duhej të kalonin në epërsi që në minutën e tretë, por Rayan e dërgoi topin me kokë jashtë portës, pranë shtyllës së largët.

Cilësia mungoi dukshëm në 30 minutat e para, gjatë të cilave asnjëra skuadër nuk arriti të regjistronte goditje në kuadrat. Megjithatë, dominimi i “Qershive” u shpërblye më në fund.

Pas një goditjeje të lirë të fituar për shkak të një ndërhyrjeje të pakontrolluar të Ayden Heaven, harkimi i Justin Kluivertit në shtyllën e dytë u shfrytëzua nga Rayan, i cili, i pambuluar nga mbrojtja, e dërgoi topin në rrjetë me një volej të butë për ta zhbllokuar rezultatin.

Në stadium u rikthye ndjenja e njohur e zhgënjimit, ndërsa pasi Djordje Petrovic ia mohoi golin e barazimit Bryan Mbeumos, një gabim i Leny Yoros i dhuroi Bournemouthit golin e dytë.

Adrien Truffer e asistoi Marcus Tavernierin, i cili nuk e pati të vështirë të shënonte në portën e zbrazët.

Fishkëllimat e fuqishme të tifozëve shoqëruan përfundimin e pjesës së parë, ndërsa Carrick me siguri e dinte se i kishin mbetur vetëm 45 minuta për ta shpëtuar postin e tij te Unitedi.

Të gjithë sytë ishin te Fernandes para fillimit të pjesës së dytë, por Carrick vendosi ta inkuadronte Matheus Cunhan, duke e lënë kapitenin në bankën rezervë.

Brenda vetëm 30 sekondash, Bournemouthi e dërgoi sërish topin në rrjetë përmes Evanilsonit, por Manchester Unitedi shpëtoi pasi ndërhyrja e gjyqtarit anësor sinjalizoi pozicion jashtë loje, duke e kursyer Harry Maguiren nga një tjetër moment i sikletshëm.

Skuadra e Marco Roses duhej ta kishte mbyllur ndeshjen shumë më herët, por Rayan shpërdoroi dy mundësi të shkëlqyera për ta shënuar golin e tretë, ndonëse ishte në pozita të favorshme.

Megjithatë, vendasit nuk patën shpëtim. Një pasim i gjatë dhe i drejtpërdrejtë nga Lewis Cook e çmontoi mbrojtjen e Unitedit, pasi të dy qendërmbrojtësit ia lanë njëri-tjetrit topin, ndërsa Senne Lammens nuk arriti ta kapte atë.

Evanilson e kaloi portierin belg dhe, nga një kënd i vështirë dhe distancë e konsiderueshme, realizoi një gol të jashtëzakonshëm, duke i shtyrë tifozët të largoheshin nga “Old Traffordi” para përfundimit të ndeshjes.

Kështu, Bournemouthi shënoi të paktën tre gola në udhëtimin e katërt radhazi në fushën e Manchester Unitedit. Në të njëjtën kohë, skuadra e siguroi serinë e parë prej katër fitoresh radhazi në të gjitha garat që nga dhjetori i vitit 2023, një ecuri që përfshinte edhe fitoren 0-3 në këtë stadium.

Ndërkohë, Manchester Unitedi, që e mbajti Fernandesin në bankën rezervë gjatë gjithë ndeshjes, duket se po shkon drejt një tjetër epoke të re, pasi seria pa fitore është zgjatur në tetë ndeshje në të gjitha garat.

Të ngjashme

Të fundit