Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka rrëfyer për takimet e tij me presidentin e atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë Konferencës së Rambujesë në vitin 1999.
Në intervistën ekskluzive për Debat Plus me Ermal Pandurin, Thaçi ka treguar se me ftesën e Rugovës kishte zhvilluar tri takime në Kështjellën e Rambujesë.
Sipas Thaçit, takimet zhvilloheshin në mbrëmje, në dhomën e Rugovës, në kohën kur pjesëtarët e tjerë të delegacionit ishin duke darkuar.
“Me Rugovën, me ftesën e tij, kisha zhvilluar tri takime, në Kështjellën e Rambujesë; më ftonte në dhomën e tij në mbrëmje, kur të tjerët po darkonin e disa vazhdonin edhe me ndonjë gotë alkooli apo pirje duhani. Më tha: “Po më duhet me pasë pak kujdes prej këtyre të mive, po flasin kapak si tepër nëpër korridore, syri dhe shpirti i keq është çdo kund, po ti grahi me kërkesat tuaja, unë jam gati”, ka rrëfyer Thaçi.






