Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar lidhur me gjendjen e demokracisë në Kosovë, duke paralajmëruar se heshtja dhe indiferenca ndaj shkeljeve demokratike mund të kenë pasoja serioze për shoqërinë dhe shtetin.
Thaçi ka deklaruar se demokracia në Kosovë po cenohet nga politika, ndërsa sipas tij, në shumë raste po dominon heshtja.
“Sot, demokracia në Kosovë, jo rrallë, po lejohet të cenohet nga politika; dominon heshtja”, ka thënë ai.
Sipas Thaçit, mungesa e reagimit ndaj veprimeve të gabuara shpesh interpretohet si mbështetje apo pajtim me to.
“Mosdeklarimi për veprimin e gabuar kuptohet dhe interpretohet si deklarim, ndërsa mosveprimi si tolerim, nëse jo edhe pajtim”, është shprehur ish-presidenti.
Ai ka theksuar se heshtja dhe indiferenca ndaj padrejtësive nuk janë neutrale, por me kalimin e kohës mund të prodhojnë pasoja të rënda.
“Heshtja dhe indiferenca është karakteri dhe fytyra e së keqes. Në situata të ndryshme mund të duket si ilaç, por me kohë mund të shndërrohet në helm”, ka deklaruar Thaçi.






