1Tetori shënon nisjen e Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, i njohur ndryshe si “Tetori Rozë”.
Gjatë këtij muaji, vëmendja në mbarë botën përqendrohet te rëndësia e diagnostikimit të hershëm, kontrolleve shëndetësore dhe mbështetjes për gratë që përballen me kancerin e gjirit.
Kanceri i gjirit mbetet një ndër format më të shpeshta të kancerit te gratë. Përmes fushatave të ndërgjegjësimit synohet që gratë të informohen më shumë për faktorët e rrezikut, shenjat që nuk duhen neglizhuar dhe rëndësinë e kontrolleve të përshtatura me moshën, si dhe me historinë personale e familjare.
Kontrollet dhe diagnostifikimi i hershëm
Një nga mesazhet kryesore të Tetorit Rozë është rëndësia e kujdesit për shëndetin dhe e konsultimit me mjekun kur shfaqet një ndryshim i pazakontë.
Ndryshimet në formën ose madhësinë e gjirit, një masë e re, ndryshimet në lëkurë apo në thithkë dhe sekrecionet e pazakonta janë ndër shenjat që duhen vlerësuar nga një profesionist i shëndetësisë.
Kontrollet dhe ekzaminimet për zbulimin e hershëm ndryshojnë në varësi të moshës dhe nivelit individual të rrezikut. Mamografia është një prej metodave kryesore të përdorura për depistimin e kancerit të gjirit, ndërsa për gratë me rrezik më të lartë mund të rekomandohen kontrolle të tjera ose në moshë më të hershme, sipas vlerësimit mjekësor.
Për këtë arsye, specialistët theksojnë rëndësinë e konsultimit me mjekun për të përcaktuar se cilat kontrolle janë të përshtatshme për secilën grua.
Tetori Rozë nuk lidhet vetëm me ndërgjegjësimin për kontrollet shëndetësore. Ai është gjithashtu një periudhë solidariteti me gratë që po përballen me sëmundjen, me familjarët e tyre dhe me të gjithë ata që janë të prekur nga kanceri i gjirit.
Shiriti rozë, simboli më i njohur i kësaj fushate, përfaqëson ndërgjegjësimin dhe mbështetjen në luftën kundër kancerit të gjirit.
Mesazhi i këtij muaji është i thjeshtë: kujdesi për shëndetin nuk duhet të shtyhet. Informimi, konsultat mjekësore dhe diagnostikimi në kohë janë pjesë e rëndësishme e kujdesit ndaj vetes.
Tetori na kujton se të flasësh për kancerin e gjirit, të informohesh dhe të kërkosh ndihmë mjekësore kur është e nevojshme, mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm.






