Televizioni publik i Hungarisë, M1, ka ndërprerë përkohësisht transmetimin e programit informativ, duke shfaqur në ekran një mesazh të pazakontë ku kërkon falje për mënyrën e funksionimit gjatë viteve të fundit.
Sipas portalit hungarez 24.hu,në ekranin e M1 dhe në platformat e tij zyrtare u publikua mesazhi: “Media publike nuk mund të gënjejë. Kërkojmë falje që për shumë vite kemi bërë pikërisht këtë”.
Mesazhi thekson se media publike po kalon në një proces transformimi me synimin që në të ardhmen të jetë e pavarur dhe e besueshme, ndërsa shërbimi informativ është pezulluar përkohësisht.
Zyra për Media dhe Marketing e MTVA-së njoftoi se, përveç M1, është ndalur edhe transmetimi i Radio Kossuth, i cili është zëvendësuar përkohësisht nga programi i Radio Bartók.
Sipas deklaratës, ekrani i zi simbolizon fundin e një epoke, duke argumentuar se gjatë viteve të fundit media publike kishte rënë nën ndikimin e pushtetit politik dhe kishte humbur funksionin e saj kryesor për informim objektiv e të besueshëm të publikut.
Kjo vjen pasi Viktor Orban humbi zgjedhjet dhe rrjedhimisht edhe pushtetin.






