Një incident ka ndodhur sot rreth orës 14:30 në rrugën “Shpëtim Robaj” në Komoran të Drenas.
Aty ka ndodhur një rrahje dhe ka pasur edhe të shtëna me armë, ku nuk raportohet për të lënduar por vetëm dëme materiale.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka dhënë detaje për Klankosova.tv lidhur me rastin në fjalë.
Ahmeti tha se dy persona janë shoqëruar në polici.
“Sot rreth orës 14:30 është pranuar informata për një rrahje dhe të shtëna armësh në rrugën “Shpëtim Robaj” në Komoran. Nuk raportohet për persona të lënduar. Me të marrë informatën policia, ka dalë në vendin e ngjarjes,ku ka konstatuar se ka pasë të shtëna me armë dhe raportohet vetëm për dëmtim prone (dëmtim i veturës). Lidhur me rastin policia ka shoqëruar në stacion policor dy persona të përfshirë në rast. Aktualisht policia ka nisë punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat e deritanishme incidenti nuk lidhet me procesin e zgjedhjeve”, deklaroi ajo.