Prokurori i Specializuar ka vazhduar të shpjegojë bisedën mes Hashim Thaçit dhe Hajredin Kuçit, duke u ndalur fillimisht te dëshmitari nr. 5 dhe më pas te dëshmitari Bislim Zyrapi.
Sipas Prokurorisë, Thaçi fillimisht ishte siguruar që Kuçi ta kishte kuptuar atë që po i kërkohej, përpara se të kalonte te udhëzimi i radhës lidhur me atë që dëshmitari nr. 5 nuk duhej të thoshte apo të bënte, shkruan lajmi.net.
Prokurori ka thënë se në bisedë bëhet fjalë konkretisht për një ndryshim që, sipas tij, Thaçi kërkonte që dëshmitari nr. 5 ta bënte.
Ai ka theksuar se Thaçi dhe Kuçi dëgjohen duke qeshur në një moment të bisedës, por menjëherë pas kësaj, sipas Prokurorisë, Thaçi i rikthehet qëllimit të bisedës dhe brenda pak sekondash e bën të qartë se ndryshimi duhej të bëhej, si dhe mënyrën se si dëshmitari duhej ta shpjegonte atë.
Më pas, sipas prokurorit, Kuçi jep sqarimet e tij për mënyrën se si dëshmitari duhej ta paraqiste ndryshimin, ndërsa Thaçi pajtohet me këto sqarime.
Në vazhdim, Prokuroria pretendon se Thaçi fillon të flasë me pëshpëritje dhe i thotë Kuçit: “Të punoj me dëshmitarin”.
Sipas prokurorit, kjo tregon se Thaçi po jepte udhëzime përmes pëshpëritjeve dhe se Kuçi e kishte kuptuar se këto udhëzime duhej t’i përcilleshin dëshmitarit nr. 5.
Menjëherë pas diskutimit për dëshmitarin nr. 5, sipas Prokurorisë, Thaçi iu kthye udhëzimeve për një dëshmitar tjetër, kësaj here Bislim Zyrapin, i njohur ndryshe si dëshmitari nr. 2 në këtë çështje.
Prokurori ka theksuar se bëhet fjalë për të njëjtin person për të cilin Thaçi i kishte thënë Kuçit se ishte “më i rëndësishmi”, vlerësim që, sipas tij, Thaçi e kishte përsëritur disa herë gjatë vizitave të ndryshme.
Sipas Prokurorisë, në këtë pjesë të bisedës Thaçi ka dhënë udhëzime të detajuara lidhur me Zyrapin, në një mënyrë që, sipas prokurorit, është në përputhje me praktikën e udhëzimeve që ai pretendon se Thaçi kishte dhënë edhe gjatë vizitave të tjera.
Prokurori ka argumentuar se përsëritja e këtyre bisedave dhe fakti që në to diskutohen disa dëshmitarë të ndryshëm përbën, sipas tij, një model të përsëritur të komunikimit dhe udhëzimeve.
Këto janë pretendime të Prokurorisë të paraqitura gjatë deklaratave përfundimtare dhe jo konstatime përfundimtare të trupit gjykues.






