Në atë që Besnik Bislimi – i ngarkuar në krye edhe të dialogut me Serbinë; proces ky pashkëputshëm i lidhur me krejt shtigjet integruese euroatlantike të vendit – është material i pashtershëm dhe shterrues kontradiktash është bërë thuajse e vërtetë e etabluar në përvojë.
Më e fundit? Çështja e dinarit.
Pasi duke folur nga Çagllavica krejt befasia e tij konsistonte në atë se “guvernatorja e Bankës Popullore të Serbisë është serbe nga Vushtria që e flet shqipen perfekt, dhe është çuditshme pse s’po na përgjigjet”, Bislimi iu përgjigj – pasi fillimisht e refuzoi ftesën e Lajçakut, dhe vetë idenë se Rregullorja e BQK-së mund të bëhet temë në dialogun politik – Brukselit për të biseduar për dinarin.
Në komunikatën e Qeverisë së Kosovës, u tha veçse dinari “u përmend”; teksa në këtë “përmendje” thuase shkarazi, “u pajtuan” që palët – pra, edhe Serbia – të dërgojnë propozime për zgjidhje afatshkurte për pagesat për serbët e Kosovës që dërgohen nga Thesari i shtetit të Serbisë.
“Ishte e rëndësishme të vërtetoheshin disa fakte dhe ne ramë dakord që të vazhdojmë diskutimin tonë për këtë çështje të hënën e ardhshme në Bruksel, bazuar në propozimet konkrete dhe realiste që Palët pritet të paraqesin paraprakisht”, tha Lajçak.
Për më tepër, para hyrjes në fuqi të këtij vendimi ende pa u deklaruar Guvernatori i BQK-së, ishte Bislimi ai që deklarohej se me këtë vendim do të ndalohej “vjedhja pesë sosh…nga sekserë të Beogradit”; thuase dëshironte t’ia luftonte korrupsionin Serbisë.
Pra, ajo që jepej për punë të brendshme të Kosovës tashmë edhe zyrtarisht u çua në Bruksel kur deri të premtem palët duhet të dërgojnë propozime “realiste”; ndërsa propozim do të ketë edhe Serbia – pra, propozim që do të sintetizohet në një mes, siç ka qejf ta cilësojë Kurti, “simetrik”, me atë të Kosovës dhe Serbisë; për një punë të brendshme të Kosovës.
Megjithatë, Kurti është shprehur i bindur – nëse jo i shpresshëm – se “do të dalim fitimtar nga kjo situatë”, duke folur në një intervistë javë më parë në “Bloomberg”; ndërsa për këtë çështje Serbisë i është miratuar seancë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku edhe aleatët më jetikë të vendit morën qëndrim pasiv dhe madje edhe skajshmërisht qortues ndaj Kosovës, kësisoji Kurti duke u shpaluar para 193 shteteve të botës me një vetmi të frikshme të vendit, qenësia e të cilit varet nga perëndimi politik.
Për punën e dinarit – jo për legalitetin dhe legjitimitetin e vendimit – Kosova ka bartur mbi supe kritikat më të ashpra ndonjëherë rreth mënyrës (ose, etikës) së zbatimit pa ofruar alterantivë dhe kohë përshtatshmërie dhe komunikimi me komunitetin serb. /Nacionale/