Të gjithë sytë kah Ravenna të dielën, Ronaldinho rikthehet nga pensionimi

- Advertisement -

Të gjithë sytë e botës së futbollit të dielën e ardhshme do të jenë të drejtuar nga stadiumi “Bruno Benelli” në Ravenna të Italisë.

Në orën 17:30 sipas kohës lokale, Ravenna, skuadër që garon në Serie C, do të zbresë në fushë për derbin lokal kundër Forlit, në kuadër të xhiros së 14-të të kampionatit.

Në muajin gusht ishte konfirmuar se legjenda braziliane Ronaldinho do të rikthehej në futbollin profesionist.

46-vjeçari kishte nënshkruar me Ravenna FC, skuadër që garon në Grupin B të Serie C, ndonëse në atë kohë shumëkush dyshonte se lajmi ishte pjesë e një fushate marketingu.

Megjithatë, vetëm disa javë më parë, klubi italian konfirmoi se Ronaldinho do ta veshë fanellën e tij në ndeshjen kampionale të Serie C kundër Forlit.

Biletat për këtë përballje dolën në shitje të hënën dhe u shitën në kohë rekord.

Kështu, një ndeshje e kategorisë së tretë të futbollit italian është shndërruar në njërën prej përballjeve më të komentuara të futbollit të ligave të ulëta, duke pritur edhe vëmendje të madhe nga mediat ndërkombëtare.

Tashmë pyetja kryesore është nëse Ronaldinho do të jetë në formacionin titullar apo do të aktivizohet si zëvendësues në pjesën e dytë të ndeshjes.

Braziliani nuk ka luajtur rregullisht futboll profesionist prej shumë vitesh dhe për këtë arsye askush nuk pret që ai të jetë në gjendje t’i përballojë të gjitha 90 minutat.

Për më tepër, përballja mes Ravennas dhe Forlit është një derbi i rëndësishëm lokal, ku në lojë është edhe krenaria e dy qyteteve.

Aktualisht, Ravenna renditet në vendin e dytë në Grupin B të Serie C, pas Spezias.

Vetëm skuadra që përfundon në vendin e parë siguron drejtpërdrejt promovimin në Serie B, ndërsa ekipet nga vendi i dytë deri në të dhjetin duhet të kalojnë nëpër një sistem të ndërlikuar të “play-offit”.

Ndërkohë, Ronaldinho ka deklaruar hapur se synon ta realizojë golin e 300-të në karrierën e tij me fanellën e Ravennas, përpara se t’i japë fund përfundimisht futbollit profesionist.

Të ngjashme

Të fundit