Të gjithë liderët politikë, përveç Albin Kurtit, në përkrahje të protestës së studentëve në Shkup për gjuhën shqipe

- Advertisement -

Shqiptarë në mijëra priten të mblidhen sot në qendër të Shkupit për të protestuar për të drejtën e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Tubimi është planifikuar të nisë nga ora 16:30 në Urën e Gurit, ndërsa autoritetet e Maqedonisë së Veriut nuk kanë dhënë shenja se do të pranojnë kërkesat e studentëve.

Situatën e ka ndërlikuar edhe një incident teknik në kufi. Policia e Maqedonisë së Veriut ndërpreu krejtësisht qarkullimin në pikën kufitare me Kosovën, pas rënies së sistemit të regjistrimit të hyrje-daljeve.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar njoftoi se situata shkaktoi “kolona të gjata” dhe rekomandoi përdorimin e pikave alternative kufitare Stançiq-Bellanovc ose Glloboqicë.

Protestës i kanë shprehur mbështetje liderë të shumtë politikë nga Kosova, me përjashtim të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që ruajnë marrëdhënie të ngushta me qeverinë nacionaliste maqedonase të kryeministrit Hristjan Mickoski.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e cilësoi gjuhën shqipe si të pandashme nga toka dhe historia e popullit shqiptar.

“Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale. Është gjuhë autoktone, gjuhë e këtij trualli, që nuk kanë mundur ta ndalin as kralat e as sulltanët”, shkroi Haradinaj.

Ai shtoi se studentët nuk po kërkojnë privilegje.

“Studentët shqiptarë sot nuk po kërkojnë privilegje, po kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për identitetin e tyre”, theksoi kryetari i AAK-së.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, iu bashkua thirrjes për solidaritet me të rinjtë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

“Zëri i studentëve shqiptarë në Shkup nesër është zëri i një brezi që kërkon respekt, barazi dhe dinjitet për identitetin e vet kombëtar”, deklaroi Hamza.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e quajti heshtjen ndaj diskriminimit bashkëfajësi dhe bëri thirrje për unitet mbarëshqiptar.

“Heshtja përballë diskriminimit është bashkëfajësi. Prandaj, sot është koha që të gjithë shqiptarët, pa dallim partie, ideologjie apo vendbanimi, të qëndrojnë krah studentëve”, tha Rama.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, thirri në kujtesën historike të rezistencës shqiptare.

“Historia ka dëshmuar se sa herë të rinjtë shqiptarë janë ngritur me guxim dhe dinjitet, zëri i tyre është kthyer në zërin e popullit dhe ka sjellë ndryshim”, shkroi Limaj.

E para e LDK-së dhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh me dy fjali të drejtpërdrejta: “Gjuha shqipe është e shenjtë! Ngrihu në mbrojtje të saj!”

Protesta e sotme shihet si provë e parë domethënëse ndaj Shkupit zyrtar, në një moment kur qeveria Mickoski vazhdon të injorojë të drejtat gjuhësore të garantuara me Marrëveshjen e Ohrit.

Të ngjashme

Të fundit