Milani pësoi disfatë në Olimpico kundër Lazios, duke nxjerrë qartë në pah një problem strukturor në skemën taktike të Massimiliano Allegrit: Varësinë totale nga Adrien Rabiot.
Me mesfushorin francez në fushë, Milani kishte një ritëm si pretendent i vërtetë për titull, me një mesatare prej 2.35 pikësh për ndeshje dhe duke ëndërruar vendin e parë. Megjithatë, humbja në kryeqytet, që erdhi pikërisht në një javë kur Interi barazoi në shtëpi kundër Atalantës e rriti edhe më shumë distancën nga kreu, duke treguar se skuadra humbet stabilitetin pa elementin e saj kryesor balancues.
“Ne pësuam më shumë kundërsulme në pjesën e parë sesa në gjithë kampionatin,” deklaroi Allegri për DAZN pas ndeshjes, duke përshkruar qartë një humbje të merituar.
Milanit i mungoi plotësisht forca dhe aspekti fizik në mesfushë: pa filtrin e ish-lojtarit të Paris Saint-Germain, mbrojtja u vu vazhdimisht në vështirësi, e çarë nga aksionet e Mattia Zaccagni dhe Gustav Isaksen, të cilët u ndihmuan nga loja e mirë e Fisayo Dele-Bashiru dhe Keneth Taylor.
Vetëm Luka Modriq në mesfushë nuk mjaftoi për të përballuar iniciativat e vendasve, që fituan pothuajse çdo duel dhe diktuan ritmin, duke gjetur edhe golin e fitores.
Pa Rabiotin, mesatarja e pikëve të Milanit bie ndjeshëm në 1.62 për ndeshje. Në ndeshjet pa të (duke përfshirë ato të para para ardhjes së tij kundër Cremonese dhe Lecce, si dhe mungesat për shkak dëmtimesh apo pezullimesh), Milani ka hasur shumë vështirësi.
Në shtatë ndeshje pa Rabiot, kuqezinjtë kanë marrë vetëm dy fitore kundër Fiorentinës dhe Romës, kanë barazuar me Pisën, Atalantën, Parmën dhe Comon, dhe kanë humbur kundër Cremoneses dhe Lazios.
Në anën tjetër, kur Adrien Rabiot ka qenë në fushë, Milani ka fituar 14 nga 20 ndeshje, duke pësuar vetëm një humbje në shtëpi kundër Parmës. Ndikimi i tij nuk është vetëm në mbrojtje, por edhe në ndërtimin e lojës: me katër gola në udhëtim (përfshirë një dopietë vendimtare ndaj Comos) dhe katër asistime, ai sjell energjinë dhe depërtimet që janë thelbësore për fazën sulmuese.






