Tchouameni largohet nga kampi i Francës shkaku i lëndimit, Zidane merr një vendim “befasues”

- Advertisement -

Zinedine Zidane ka marrë një tjetër goditje në kampin e Francës.

Federata Franceze e Futbollit ka konfirmuar se Aurélien Tchouaméni nuk do të jetë në dispozicion për dy ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve të UEFA-s kundër Italisë dhe Turqisë, për shkak të një lëndimi.

Mesfushori bëhet lojtari i tretë që largohet nga grumbullimi i “Gjelave” brenda pak orësh.

Një problem në regjionin e ijëve e detyroi mesfushorin të ndërpriste stërvitjen e së martës, të cilën nuk arriti ta përfundonte. Tchouaméni tani do të rikthehet te klubi i tij, Real Madrid.

Sipas njoftimit zyrtar të Federatës Franceze të Futbollit, Tchouaméni kishte ndier dhimbje muskulore që nga momenti i mbërritjes në qendrën stërvitore në Clairefontaine.

Stafi mjekësor i përfaqësueses franceze, në koordinim me lojtarin dhe pas kontaktit me mjekët e Real Madridit, ka vendosur që ai të kthehet në klub.

Në njoftimin e federatës thuhet: “Lojtari ka ndier këto dhimbje që nga mbërritja e tij në Clairefontaine. Duke marrë parasysh historikun e tij mjekësor dhe pas konsultimit pak minuta më parë me mjekët e Real Madridit, stafi mjekësor i Kombëtares së Francës ka vendosur, në marrëveshje me lojtarin, që ta kthejë atë në klubin e tij. Ai do ta kalojë natën me pjesën tjetër të ekipit, përpara se nesër të udhëtojë drejt Madridit”.

Ende nuk dihet se sa gjatë do të mungojë Tchouaméni, pasi Federata Franceze nuk ka dhënë ndonjë afat konkret për rikuperimin e tij.

Kësaj radhe, Zidane ka vendosur të mos ftojë një futbollist tjetër në vend të mesfushorit të Real Madridit.

Ky është një ndryshim nga orët e fundit, kur Saël Kumbedi dhe Junior Kroupi iu bashkuan kombëtares franceze si zëvendësues të Pierre Kalulu dhe Marcus Thuram.

Lëndimi i fundit lidhet me të njëjtin problem fizik që Tchouaméni kishte pasur edhe gjatë Botërorit të fundit.

Për shkak të kësaj gjendjeje, ai kishte munguar në grumbullimin e Francës në shtator, përpara se të rikthehej në ekip gjatë këtij pushimi ndërkombëtar.

Franca do të përballet me Italinë të enjten, ndërsa të dielën do ta presë Turqinë. Të dyja ndeshjet janë në kuadër të Ligës së Kombeve të UEFA-s./

Të ngjashme

Të fundit