Disa këngë të Taylor Swift janë hequr nga videot e publikuara në rrjetet sociale nga fushata e Presidentit Donald Trump dhe Shtëpia e Bardhë, e cila gjatë javës së fundit ka përdorur dy këngë të yllit amerikan.
Shtëpia e Bardhë dhe një përfaqësues i Swift nuk kanë reaguar menjëherë ndaj kërkesave për koment.
Swift nuk është shprehur së fundmi për Trumpin, megjithëse në vitin 2024 ajo mbështeti rivalen e tij demokrate, atëherë nënpresidenten Kamala Harris.
Gjatë fushatës së vitit 2020, Swift kishte kritikuar publikisht Trumpin, shkruan Reuters.
Trump, nga ana tjetër, e ka kritikuar vazhdimisht këngëtaren. Pas mbështetjes së saj për Harris, ai shkroi në rrjetet sociale: “E urrej Taylor Swift!”. Vitin e kaluar ai pyeti gjithashtu nëse dikush kishte vërejtur se Swift nuk ishte më “e nxehtë” që kur ai kishte thënë se e urrente.
Dhjetëra artistë, përfshirë Sabrina Carpenter dhe Ariana Grande, i kanë kërkuar administratës Trump të mos përdorë këngët e tyre.
Gjatë javës së fundit, fushata e Trumpit përdori dy këngë të Swift në faqen e saj në TikTok, duke i shoqëruar me mbishkrime politike që parodizonin titujt dhe tekstet e disa prej këngëve të saj.






