Talibanët i kanë ndaluar transmetimin e edicioneve të lajmeve të BBC-së dhe Zërit të Amerikës (VOA) në mediat afgane, në një kufizim të mëtejshëm të lirive në vend.
BBC po ashtu raportoi të dielën, më 27 mars se edicionet e lajmeve në disa gjuhë ishin hequr nga transmetimi në Afganistan.
Ky veprim ndodhi pasi talebanët urdhëruan partnerët e BBC TV, duke përfshirë stacionet televizive lokale Shamshad, Ariana dhe Arezo që t’i heqin transmetuesit ndërkombëtarë nga valët e tyre.
Ndërkohë një burim në gjigantin mediatik afgan ‘MOBY Group’ tha për agjencinë e lajmeve DPA se kishte ndaluar transmetimin e materialit të Zërit të Amerikës (VOA) që nga e diela, pas urdhrave të agjencisë së inteligjencës së talibanëve.
Më herët, zëdhënësi i Ministrisë së Informacionit dhe Kulturës, Abdul Haq Hammad, konfirmoi për DPA-në se transmetimet televizive të Zërit të Amerikës në kanalet afgane ishin ndalur.
Zyrtari taliban tha se kulturalisht dhe politikisht, televizioni i Zërit të Amerikës binte në kundërshtim me politikat e qeverisë.
Talibanët kohët e fundit arrestuan për pak kohë 11 punonjës të medias, duke përfshirë tre punonjës të ‘TOLOnews’, pas ndalimit të telenovelave nga jashtë.
Pasi talibanët u kthyen në pushtet, shumë gazetarë afganë u larguan. Media të shumta u mbyllën, kryesisht për shkak të problemeve ekonomike.
Ndërkohë shumë gazetarë që janë ende në Afganistan nuk ndihen më në gjendje të raportojnë hapur, nga frika e hakmarrjeve nga talebanët. Shumë prej tyre janë burgosur ose torturuar gjatë kryerjes së punës së tyre. /Rel/