Kryetari i Grupit Paralmentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri në mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve Kosovë – Shqipëri, që po mbahet në Tiranë, u ka uruar të gjithë shqiptarëve 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit.
Tahiri tha se kjo datë shënon kalendarin e ngritjes sonë kombëtare e politike, për liri dhe pavarësi gjithandej ku flitet shqip.
“Ajo çfarë ka nisur nga Rilindësit tanë në Prizren me 1878-tën, është përcaktuar si trajektore në Vlorë me 1912-tën dhe është përmbyllur në Prekaz me 1998-tën. Rrugë e gjatë, e vështirë, plot sakrificë, plot lavdi, plot shpresë për të arritur këtu ku jemi sot, që të flasim nën kulmin e Parlamentit të Shqipërisë Evropiane e Demokratike, si përfaqësues të Kosovës demokratike e të pavarur, që e di dhe e ndjek rrugën e vet euro perëndimore”, tha ai.
Tahiri tha se historia e popullit shqiptar me tregime lavdie e sakrifice ka në themel 28 nëntorin.
“28 nëntori i Skënderbeut si themel, 28 nëntori i Ismail Qemajlit si projekt, 28 nëntori i UÇK-së dhe Adem Jasharit si akt përmbyllës, janë tre 28 nëntor brenda një përpjekje që i kanë dhënë vulë të drejtës sonë historike”, theksoi ai. Tahiri duke folur për luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, kujtoi krerët e UÇK-së që po gjykohen padrejtësisht në Hagë.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e bashkëluftëtarë të tjerë, janë heronj e gjallë të lirisë e pavarësisë sonë, të cilët sot mbahen larg nesh padrejtësisht. Por siç nuk kemi pasur kurrë dyshim në lirinë tonë, nuk kemi dyshim se ata do jenë prapë në mesin tonë, dhe se e vërteta do triumfojë mbi të pavërtetën, dhe e drejta mbi padrejtësinë. Historinë që e kemi bërë me gjak e sakrificë, nuk mund ta ndryshojë askush, kurrë dhe me asgjë. Jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj Shqipërisë, që ishte me ne kur e drejta dukej e pamundur, dhe jemi shumë mirënjohës për Shqipërinë që është edhe sot me ne, kur duhet ta bëjmë të pamundurën, që e vërteta të dal në shesh”, shtoi ai. Tahiri tha e ardhmja e dy shteteve shqiptare duhet të jetë e bazuar në bashkëpunim ndërshqiptar për zhvillim dhe progres, si dhe në aleancë të përhershme me SHBA-të, të integruar në NATO e në familjen evropiane.
“E ardhmja jonë është e bashkuar. Dhe natyrisht se s’ka aspak rëndësi, e as nuk ka nevojë që bashkimi ynë të jetë bashkim në hartë, aq sa duhet të jetë bashkim në zemër. Bashkim në perspektivë. Bashkim në zhvillim dhe progres. Bashkim në vlerat tona të përbashkëta euro perëndimore, të afërt me njëri-tjetrin, të hapur me fqinjët, e të gatshëm për ta lënë mbrapa të kaluarën, në aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të integruar në NATO e në familjen Evropiane. Kjo është rruga dhe e ardhmja jonë. Ky është misioni dhe qëllimi ynë i përbashkët. Dhe nga ky mision nuk duhet të abstenojmë me asnjë çmim e për asnjë kusht, dhe nuk duhet të lejojmë kurrë që i njëjti të errësohet nga ndasitë e brendshme politike. Unë dhe Partia Demokratike e Kosovës besojmë në një të ardhme të tillë. Ne jemi të bindur se populli i Kosovës dhe ai i Shqipërisë besojnë në një të ardhme të tillë. Dhe një të ardhme të tillë, do ta jetësojmë pa asnjë dyshim”, theksoi Tahiri.