Nënkryetari i Aleancës dhe shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri, ka thënë se koha e këtij subjekti politik po vjen.
Ai ka përmendur dy organizimet e fundit të Aleancës, duke thënë se kjo parti ka hartuar program me prioritete të qarta për të rinjtë dhe qytetarët.
“Sot, kur të rinjtë po e shohin largimin nga Kosova si mundësi për një jetë më të mirë, kur pabarazia, arsimi i dobët dhe partizimi i institucioneve po e dëmtojnë besimin e qytetarëve, Kosova ka nevojë për ndryshim të vërtetë. Aleanca ka hartuar platformën e saj politike, të ndërtuar mbi tri prioritete të qarta: siguri, reforma të thella në ekonomi dhe drejtësi dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve dhe zhvillimit, duke krijuar kushte që të rinjtë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë.”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka thënë se si parti opozitare do të jenë zë kritik ndaj pushtetit.
“Në opozitë, do të jemi zëri kritik, adresë e qytetarëve dhe forcë e ndryshimit. Në Kuvend, misioni ynë do të jetë të angazhohemi për një Kosovë me më shumë mundësi, zhvillim ekonomik dhe perspektivë për brezat e rinj. Faleminderit të gjithë të rinjve, aktivistëve dhe strukturave të Aleancës për angazhimin dhe besimin!”, ka thënë ai.






