Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka adresuar kritika të ashpra drejt Kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me emërimin e bordit të ri të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, shkruan Insajderi.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Tahiri rikujtoi premtimet e dikurshme të VV-së për shuarjen e këtij institucioni, duke e cilësuar veprimin e sotëm si humbje të konsistencës dhe fyerje për aktivistët e tyre.
Tahiri u shpreh se qeveria duhet të ndihet e turpëruar që, pas premtimeve për mbrojtjen e aseteve shtetërore, po vazhdon me avazin e vjetër të emërimeve në AKP.
“I vjen marre qeverisë së Albin Kurtit. E ka kallë këtë vend me qëllimin që duhet me u shu Agjencia Kosovare e Privatizimit, e sot pas aq vitesh vjen në Kuvend me emëru bordin e drejtorëve të ri. Pse nuk u shua AKP-ja? Si ndihen sot themeluesit e VV-së dhe aktivistët e devotshëm?” tha Tahiri.
Ai gjithashtu kritikoi faktin që propozimi u prezantua nga Ministri Elbert Krasniqi, duke thënë se kjo tregon nivelin e degradimit të kauzës brenda subjektit në pushtet.
Pas një ndërhyrjeje nga kryesuesja e seancës për sqarimin e terminologjisë së përdorur, Tahiri sqaroi se kritika e tij për “nivelin” ka të bëjë me mungesën e moralit politik dhe integritetit të kandidatëve të propozuar.
Ai akuzoi qeverinë se fitoi votat duke u thirrur në mbrojtjen e pasurisë shtetërore, por po vepron më keq se paraardhësit teksa pretendoi se 3-4 nga anëtarët e propozuar janë në procedura penale për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ai u bëri thirrje deputetëve idealistë të VV-së, veçanërisht atyre që kanë vuajtur burgun për këto kauza, që të mos e votojnë këtë bord.
Shefi i deputetëve të PDK-së u shpreh i bindur se kjo “fytyrë e vërtetë” e pushtetit do të marrë përgjigjen nga populli.
“Është ditë që tregon saktë fytyrën e Albin Kurtit dhe kësaj klase politike që bëjnë gjithçka për vota, e kur vijnë në pushtet i djegin kauzat. Nuk kanë idealizëm, por qëllim kanë vetëm abuzimin. Mendoj se qytetarët e Kosovës do të reflektojnë dhe do t’i ndëshkojnë me votë,” deklaroi ai.






