Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka deklaruar se organizata nuk ka asnjë qëndrim zyrtar për protestat që po mbahen në Shqipëri, duke theksuar se ato janë çështje të brendshme të shtetit shqiptar.
Ai u ka bërë thirrje veteranëve që marrin pjesë në protesta të mos flasin në emër të organizatës.
Syla në një intervistë për Ekonomia Online tha se OVL-UÇK nuk ka informacione të mjaftueshme për organizatorët dhe qëllimet e protestave, prandaj nuk dëshiron të përfshihet në to.
“Fillimisht, ne e kemi pasur një reagim lidhur me protestat që po mbahen në Shqipëri. Organizatat e veteranëve të luftës nuk kanë ndonjë qëndrim për këto protesta, se a duhet të mbahen apo nuk duhet të mbahen, apo se kush ka të drejtë, për arsye se ne si organizatë e veteranëve të luftës nuk kemi informacion të saktë se kush janë organizatorët e kësaj proteste. Prandaj, mendojmë që është tërësisht çështje e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, pra edhe nuk duam të involvohemi fare në këtë temë, në temën e protestës që po mbahet atje”, deklaroi ai.
Syla bëri të ditur se reagimi i organizatës erdhi pasi morën informacione nga dega e OVL-UÇK-së në Tiranë se disa veteranë po tentonin të paraqiteshin në protestë në emër të organizatës.
“Neve u kemi bërë thirrje sepse, në bazë të informacioneve që i kemi marrë nga dega jonë në Tiranë, e cila përfaqëson luftëtarët shqiptarë që kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës, kemi marrë informacione se ka tendenca që disa bashkëluftëtarë tanë nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, shkojnë edhe të flasin e të kenë ndonjë qëndrim eventualisht në emër të organizatës së veteranëve të luftës në këtë protestë”, tha Syla, për Ekonomia Online.
Sipas tij, çdo veteran ka të drejtë të marrë pjesë në protesta si individ, por jo të përfaqësojë organizatën.
“Prandaj, ne e kemi bërë edhe reagimin ku kemi kërkuar që, ju lutem të gjithë ju veteranë të cilët merrni pjesë në këtë protestë, ju mund të merrni pjesë individualisht edhe t’i keni qëndrimet e tuaja individuale rreth protestës, edhe është e drejtë e juaja, por mos provoni të thirrni në emër të organizatës apo në emër të veteranëve, sepse veteranët e UÇK-së i përfaqëson Organizata e Veteranëve të Luftës, e cila ka edhe strukturat e veta. Në qoftë se ndonjëherë do të kemi ndonjë qëndrim rreth protestës, do ta themi ne si organizatë, prandaj do të bëhet publik ky qëndrimi jonë”, u shpreh ai.
Ai shtoi se, përderisa nuk ekziston një qëndrim zyrtar, është e papranueshme që individë të flasin në emër të veteranëve.
“Përderisa nuk kemi një qëndrim, për neve ka qenë e papranueshme me pa disa veteranë që flasin në emër të veteranëve. Ata njerëz mund të marrin pjesë atje, të flasin, po jo në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës. Organizata e veteranëve të luftës nuk ka ndonjë qëndrim lidhur me protestën atje, vetëm se mendojmë që kjo është çështje e shtetit shqiptar dhe duhet të zgjidhet brenda shtetit shqiptar”, theksoi ai.
Syla foli edhe për raportin që OVL-UÇK ka me institucionet shqiptare, duke nënvizuar se organizata dëshiron të ruajë bashkëpunimin institucional pavarësisht se kush është në pushtet.
“Ju e dini, ne kemi një raport të veçantë me institucionet e shtetit shqiptar atje dhe mendojmë që kemi obligim respektin ndaj institucioneve atje, sikurse edhe ato institucione e kanë obligim me na trajtu neve, me na respektu si organizatë e veteranëve të luftës, pa marrë parasysh se kush udhëheq me institucionet atje. Prandaj, për neve është pak e rëndësishme kush e udhëheq me institucionet atje, cila parti politike, por për ne është e rëndësishme që ne të kemi një komunikim të mirëfilltë si me shtetin amë, pra me Shqipërinë, me të gjitha ato institucione, pavarësisht se kushdo që i udhëheq ato”, deklaroi ai.
Ai shtoi se organizata nuk ka asnjë vlerësim për protestat, por dëshiron stabilitet në Shqipëri.
“Nuk kemi ndonjë vlerësim, ndonjë mendim ose ndonjë qëndrim për protestat që po zhvillohen atje, vetëm se kemi dëshirë me pa shtetin tonë qysh është më së miri, me pa shtetin tonë amë si anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Kemi qejf me pa vetëm lajme të mira, po asnjëherë trazira eventualisht. Edhe këto protesta që i shohim sot nuk na vjen mirë që i shohim, sepse s’kemi qejf me pa asnjë gjë të keqe në shtetin tonë”, tha Syla.
I pyetur nëse protestat mund të jenë të nxitura nga faktorë të caktuar, ai tha se prania e pjesëmarrësve nga jashtë Shqipërisë ngre dyshime.
“Po neve, me informacion që po marrim kështu anash, pasi nuk kemi informatë tjetër të brendshme dhe nuk jemi pjesëmarrës në këto protesta, fakti që në këtë protestë po marrin pjesë edhe plot njerëz të tjerë që janë jashtë Shqipërisë, edhe nga Kosova, edhe elemente të tjerë prej shteteve të tjera, qoftë edhe prej Maqedonisë së Veriut e prej Malit të Zi, neve na shtyn me dyshu që kjo protestë nuk është qëllimmirë. Dhe s’besoj që shqiptarët jashtë Shqipërisë mund të shkojnë ta zgjidhin këtë problem në Shqipëri, sepse Shqipëria është e zoja. Ky shtet është aq i zoti sa që mundet me i zgjidh problemet e veta që ka të brendshme, pa pasur nevojë me u involvu edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë nëpër vendet e tjera të rajonit”, deklaroi ai.
Duke folur për përfshirjen e OVL-UÇK-së në protesta, Syla tha se kjo nuk është e arsyeshme.
“Jo, nuk e shohim të arsyeshme. Nuk duhet të involvohemi në këto protesta, nuk duhet të kemi as qëndrim. Aktualisht nuk kemi qëndrim për shkak se nuk e dimë kush e organizon këtë protestë dhe nuk e dimë saktë qëllimet e kësaj proteste. Prandaj, përderisa kjo situatë është kështu, neve si organizatë e veteranëve të luftës nuk kemi qëndrim, por sigurisht që as nuk duhet të kyçemi, nuk kemi pjesëmarrës dhe nuk do të marrim pjesë”, u shpreh ai.
Ai u bëri thirrje veteranëve të jenë të kujdesshëm nëse vendosin të marrin pjesë në protesta.
“I ftojmë të gjithë ata veteranë të cilët po shkojnë me marrë pjesë, me qenë të vetëdijshëm, me qenë të kujdesshëm se në cilën protestë po marrin pjesë, kush i ka ftuar ata njerëz edhe cilat janë arsyet që marrin pjesë veteranë nga Kosova në këtë protestë. Meqenëse e kemi këtë qëndrim, kishte qenë mirë që me të vërtetë të jemi të kujdesshëm me pjesëmarrjen tonë atje. Nuk është mirë dikush prej Kosove me shku me u përzi me i zgjidh hallet edhe problemet e shqiptarëve të Shqipërisë atje sepse, po e përsëris prapë, ata janë zot t’i zgjidhin problemet e tyre që i kanë të brendshme atje”, shtoi Syla.






