Gjykata Supreme ka shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën prej 3 euro për çdo ditë qëndrimi në spital për personin shoqërues të pacientit mbi moshën 15 vjeçe.
IKD, ka parashtruar padi në Gjykatën Supreme të Kosovës, kundër të paditurës Ministria e Shëndetësisë, me bazë juridike shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht pikës 4 të shtojcës 3.
Në arsyetimin e saj, paditësja kishte theksuar se Ligji nr.04/L-125 për Shëndetësi e definon bashkëpagesën si mjet financiar që paguhet për shërbime të kujdesit shëndetësor nga personat që i shfrytëzojnë ato shërbime, ndërsa personi shoqërues nuk mund të konsiderohet shfrytëzues i shërbimeve shëndetësore, pasi ai nuk i nënshtrohet trajtimit mjekësor dhe nuk përfiton shërbime diagnostike, terapeutike apo rehabilituese.
Gjykata Supreme, pas administrimit të provave dhe shqyrtimit të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, ka vlerësuar se dispozitat e kontestuara nuk kanë bazë të mjaftueshme ligjore dhe se përmes tyre është zgjeruar në mënyrë të palejuar nocioni i “bashkëpagesës”.
“Në aktgjykim, Gjykata Supreme thekson se bashkëpagesa mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të një shërbimi shëndetësor. Sipas vlerësimit të Gjykatës, personi shoqërues nuk e plotëson këtë kriter, pasi prania e tij në institucionin shëndetësor lidhet me mbështetjen e pacientit dhe jo me marrjen e shërbimeve shëndetësore”.
“Gjykata Supreme po ashtu ka vlerësuar se Ministria e Shëndetësisë, përmes Udhëzimit Administrativ nr.03/2024, ka tejkaluar autorizimin ligjor të dhënë nga Ligji për Shëndetësi, duke krijuar një detyrim të ri financiar pa bazë të qartë ligjore, në kundërshtim me parimin e legalitetit”, thuhet në njoftim.
Tutje, në njoftimin e Gjykatës potencohet se tarifimi i personave shoqërues cenon të drejtat e qytetarëve në qasje të barabartë dhe efektive në kujdesin shëndetësor, veçanërisht duke pasur parasysh praktikën faktike në institucionet publike shëndetësore, ku prania e familjarëve shpesh paraqet nevojë reale për mbështetje të pacientëve gjatë hospitalizimit.
Gjykata Supreme ka konstatuar se aktet nënligjore duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi apo detyrime financiare që nuk janë të parapara me ligj.






