Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të datës 22.05.2026.
Ankesa kishte të bënte me refuzimin e kërkesës së subjektit politik LVV për mbajtjen e një tubimi politik në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për zgjedhjet e 7 qershorit.
“Në ankesën e paraqitur në Gjykatën Supreme, LVV kishte pretenduar se PZAP ka zbatuar gabimisht nenin 4 të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 dhe se vendimi i këtij institucioni është i mangët në arsyetim, duke theksuar se kërkesa e subjektit tjetër politik, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e datës 30.04.2026, nuk mund të krijonte përparësi procedurale, pasi në atë kohë Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ) në Prishtinë ende nuk ishte konstituuar”, tha gjykata.
Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe të gjitha shkresave të lëndës, Gjykata Supreme tha se vlerësoi se ankesa është e pabazuar dhe se vendimi i PZAP-së “është i drejtë, i ligjshëm dhe i mbështetur në dispozitat përkatëse të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës dhe Deklarimin Financiar”.
Gjykata Supreme konstatoi se Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Prishtinë kishte vepruar në përputhje me nenin 4 të Rregullores Nr. 07/2024, sipas të cilit KKZ mund të refuzojë kërkesën e një subjekti politik në rast se hapësira e kërkuar është rezervuar më parë nga një subjekt tjetër politik.
“Nga shkresat e lëndës rezulton se subjekti politik PDK kishte dorëzuar kërkesën për mbajtjen e tubimit politik në Sheshin “Skënderbeu” më 30.04.2026, ndërsa LVV kishte paraqitur kërkesën më 08.05.2026, për të njëjtën datë dhe lokacion. Gjykata vlerësoi se Rregullorja Nr. 07/2024 përcakton vetëm afatin e fundit për paraqitjen e njoftimeve për tubime politike dhe nuk parasheh kufizime lidhur me kohën e paraqitjes së kërkesave para funksionalizimit të KKZ-së”.
Po ashtu, Gjykata Supreme vlerësoi se pretendimet e LVV-së lidhur me mungesën e arsyetimit të vendimit të PZAP-së janë të pabazuara, pasi PZAP kishte trajtuar në mënyrë të mjaftueshme çështjen e funksionalizimit të KKZ-së dhe kishte dhënë arsye të qarta juridike mbi bazën e dispozitave të zbatueshme.
Si rrjedhim, Gjykata Supreme konstatoi se gjendja faktike është vërtetuar drejt, se nuk janë konstatuar shkelje procedurale apo zbatim i gabuar i ligjit dhe se pretendimet ankimore të subjektit politik LVV nuk janë mbështetur me prova relevante. Ndaj, ankesa u refuzua si e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së është lënë në fuqi.






