Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kritikuar ashpër gjuhën linçuese ndaj saj nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në Rubikon të Klan Kosovës, Osmani ka bërë përgjegjës Kurtin se qëndron prapa çdo sulmi që organizohet në rrjete sociale ndaj kundërshtarëve politikë.
“Sulmet që iu bëhen grave në politikë, është komplet tjetër që iu bëhen burrave në politikë. Sulmet që iu bëhen nënave është ndryshe ndaj burrave. Manipulohet rreth takimeve. Bëhen fotografi e video me inteligjencë artifociale. Këtë po e bën VV me urdhërat më të lartë. Asnjë nuk bëhet pa dijeninë e Kurtit, pa fjalët e tij. Këto funksionojnë ashtu, urdhërdhënësi ka emër dhe mbiemër. Unë quhem motër e Vuçiqit. Jam përballur me të para syve të gjithë botës”, ka thënë Osmani, duke shtuar se të gjithë e dinë çfarë ka thënë ajo për krimet serbe dhe për Vuçiqin.
Kandidatja për presidentje ka deklaruar se edhe më parë ka kritikuar dhe ka bërë publike mospajtimet e saj me ekzekutivin.
“Nuk është hera e parë që po flas për mospajtime, mirëpo t’iu them një gjë shumë sinqerisht. Po thuhet tani tip o godet, jo unë nuk po godas. Unë po përgjigjem ndaj goditejve të paskrupullta, ndaj linçimeve të paprecedenta, ndaj një manipulimi që nuk e ka njohur historia e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje është duke e bërë kundër meje që nga data 6 mars. Është e një niveli tjetër.”, ka thënë ajo. /Klankosova.tv






