Grupi punues për harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur të marrë formë, me përfaqësues të partive politike dhe të Kryesisë së Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje ka deleguar Adnan Rrustemin, Aleanca Bekë Berishën, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka caktuar Jehona Lushaku-Sadriun.
Në këtë grup është përfshirë edhe nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, e propozuar nga Kryesia e Kuvendit. Udhëheqjen e grupit e ka marrë zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.
Megjithatë, kjo nismë është vënë në pikëpyetje nga avokati Florim Shefqeti, i cili konsideron se krijimi i grupit në këtë fazë të procesit gjyqësor është i vonuar dhe nuk pritet të prodhojë rezultate konkrete për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shefqeti ka theksuar se koha kur pritet publikimi i aktgjykimit dhe dorëzimi i ankesave e bën të diskutueshme efektivitetin e një strategjie të hartuar në këtë fazë.
“Formimi i grupeve për hartimin e strategjive në këtë fazë, kur pritet të përfundojë publikimi i aktgjykimit dhe dorëzimi i ankesave, është i barabartë me zero. Kjo për faktin se, duke pasur parasysh përbërjen e ekipit të formuar, shumica e anëtarëve mund të mos jenë fare juristë, pra të mos kenë as njohuritë elementare për atë se çfarë ka ndodhur në një proces gjyqësor me një dosje aq voluminoze”, ka deklaruar ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Avokati ka ngritur gjithashtu shqetësime për përvojën profesionale të anëtarëve të grupit, duke argumentuar se trajtimi i një dosjeje gjyqësore me përmasa të tilla kërkon njohuri të specializuara dhe përvojë të drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë.
“Po ashtu, nëse ky grup punues ka për qëllim formimin e nëngrupeve për analizimin e dosjes dhe të provave, edhe në këtë rast, emrat e propozuar, duke qenë se janë jashtë fushës së drejtësisë, nuk do të sjellin asnjë lloj rezultati”, ka shtuar Shefqeti.
Sipas tij, grupi do të duhej të përfshinte profesionistë me përvojë, si ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, ish-avokatë dhe ish-policë, ndërsa si një emër që mund të kontribuonte në këtë proces ka përmendur profesorin Enver Hasani.
Shefqeti vlerëson se përfshirja e ekspertëve të tillë do të mundësonte hartimin e argumenteve më të qëndrueshme juridike, të cilat potencialisht do t’i shërbenin mbrojtjes në Gjykatën e Apelit.
“Ne konsiderojmë se, në një rast të tillë, grupet punuese është dashur të përbëhen nga ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, ish-avokatë dhe ish-policë, të cilët kanë përvojë të jashtëzakonshme profesionale, siç është rasti i profesor Enver Hasanit.Një përbërje e tillë, me profesionistë të fushës që ia kanë kushtuar tërë jetën sistemit gjyqësor, do të kishte kompetencën dhe mundësinë për të hartuar argumente që do t’i shërbenin mbrojtjes në Gjykatën e Apelit”, ka thënë ai.
Në përfundim, ai ka shprehur dyshimin se iniciativa, në përbërjen aktuale, mund të mbetet një veprim me karakter politik, pa ndikim të prekshëm në procedurat gjyqësore që zhvillohen në Hagë.
“Një nismë e tillë për hartimin e strategjisë shtetërore, nga këndvështrimi profesional, kuptohet më shumë si një lloj konsumi politik sesa si një mekanizëm që mund të ketë ndikim apo të sjellë veprime konkrete në ndihmë të ish-krerëve të UÇK-së”, ka përfunduar ai./teve1.info/






