Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se hedhja e fajit tek njëri – tjetri ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në dialog është shumë kundërproduktiv dhe në vend të kësaj të dyja palët duhet të shikojnë se çfarë nuk kanë përmbushur nga ajo që janë marrë vesh dhe të punojnë për të realizuar obligimet.
Ai ka përsëritur se pa progres në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, as Serbia e as Kosova nuk mund të avancojnë drejt Bashkimit Evropian.
Në raundin e fundit të dialogut në nivelin më të lartë në Bruksel, nuk ka pasur takim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe sipas BE-së, Josep Borrell, Kosova nuk ishte e gatshme për këtë takim. Ndërsa, Vuçiq ka thënë se Kurti ka kërkuar që “Serbia ta njohë Kosovën”.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani se Serbia nuk po e zbaton pjesën e saj të marrëveshjes duke mos e njohur pavarësinë e Kosovës dhe se Prishtina po kërkon garanci ndërkombëtare për të përmbushur detyrimet e saj, Stano thotë se “BE-ja është ndërmjetëse dhe nuk merret me njohjen e pavarësisë”.
Stano tha për Zërin e Amerikës se të dyja palët kanë obligime dhe se në mars të vitit 2023 janë marrë vesh në Ohër se si t’i zbatojnë ato, por kjo nuk po ndodh.
“Ne nuk marrim pjesë në hedhjen e fajit, kjo është shumë kontradiktore dhe kundërproduktive. Njëra palë fajëson vazhdimisht tjetrën dhe anasjelltas. Të gjithë duhet të shohin se cila është detyra e tyre dhe ta përmbushin atë. Të dyja palët kanë shumë për të përmbushur”, thotë zëdhënësi i BE-së, transmeton Telegrafi.
“Për shembull, për Kosovën është prioritet urgjent themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Është obligim i ndërmarrë nga Kosova shumë kohë më parë që nuk po e përmbush përkundër thirrjeve të BE-së, partnerëve amerikanë dhe të tjerëve. Edhe Serbia duhet të fillojë në përmbushjen e detyrimeve të saj, palët serbe ende ka deficite kur bëhet fjalë për çështjet që dalin nga marrëveshja. Çështja është se të dyja palët, në vend që të fajësojnë njëra-tjetrën dhe të hapin çështje të reja, duhet të përqendrohen në zbatimin e asaj që kanë rënë dakord në Ohër në mars të vitit 2023”, thotë Stano.