Grupi i dikurshëm, “Spice Girls”, do të bashkohet sërish me rastin e kurorëzimit të mbretit Charles.
Ikonat e pop-it përfshirë Victoria Beckham do të ngjiten në skenë si një si pjesë e një koncerti madhështor që pritet të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar gjatë muajit maj.
“Organizatorët po mendojnë seriozisht një rikthim të Spice Girls në skenë me rastin e një ngjarje të tillë historike”, thotë një burim për gazetën britanike The Sun.
Javën e kaluar, anëtarja e këtij grupi muzikor Mel C shprehu zhgënjimin e saj që Spice Girls nuk ishte në gjendje të performonte në koncertin e Jubileut të platintë të mbretëreshës Elizabeth në qershor të vitit të kaluar.
Jo vetëm Mel C por edhe artistja tjetër Mel B po përpiqen të bindin anëtaret e tjera të grupit që të marrin pjesë në këtë ngjarje. Nëse një gjë e tillë ndodh do të jetë hera e parë që të pesë këngëtaret do të performojnë së bashku që nga viti 2012.
Grupi, i cili u themelua në vitin 1994, pati sukses të madh me këngët e njohura si Wannabe dhe Viva Forever duke shitur miliona disqe në mbarë botën.