Spanca prezanton raportin e auditimit për vitin 2025: Borxhi shtetëror kalon 1.8 miliardë euro

- Advertisement -

uditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Vlora Spanca, ka prezantuar Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025, duke vënë në pah përmirësimet në cilësinë e raportimit financiar, por edhe një sërë mangësish në klasifikimin e shpenzimeve, menaxhimin e pasurive dhe detyrimeve financiare të institucioneve publike.

Gjatë prezantimit të raportit, Spanca bëri të ditur se ZKA-ja ka dhënë opinion të kualifikuar për raportin financiar të Qeverisë, ndërsa ka evidentuar pesë çështje kryesore që kanë ndikuar në këtë opinion. Sipas saj, raportimi financiar ka shënuar përmirësime ndër vite dhe është në përputhje me standardet dhe kornizën ligjore përkatëse, megjithatë mbeten fusha që kërkojnë ndërhyrje dhe forcim të kontrolleve të brendshme.

“Në lidhje me auditimin e raportit të Qeverisë për buxhetin e shtetit për vitin 2025, Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar se cilësia e raportimit financiar ka shënuar përmirësime vit pas viti dhe është në përputhje me standardet dhe kornizën ligjore për raportim. Në bazë të rezultateve të auditimit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar, që nënkupton se, përkundër çështjeve të evidentuara në bazën për opinionin e kualifikuar, raporti financiar paraqet pamje të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me kornizën përkatëse të raportimit financiar”, deklaroi Spanca.

Një ndër çështjet kryesore të evidentuara në raport është klasifikimi joadekuat i shpenzimeve, si rezultat i të cilit janë evidentuar probleme në raportimin e transaksioneve dhe në pasqyrimin e saktë të gjendjes financiare të institucioneve publike.

Sipas Spancës, një pjesë e këtyre mangësive lidhet me pagesat e realizuara në bazë të vendimeve gjyqësore, përfshirë detyrimet që burojnë nga kontratat kolektive në nivel komunal.

“Çështjet kryesore që kanë ndikuar në opinionin e auditimit lidhen me klasifikimin joadekuat të shpenzimeve, në vlerë prej 77.4 milionë eurosh. Kjo ka ndodhur si rezultat i pagesave të bëra me vendime gjyqësore, në vlerë prej 58 milionë eurosh, nga kategori joadekuate buxhetore, kryesisht për qëllime të përmbushjes së detyrimeve nga kontratat kolektive në nivel të komunave. Përkundër faktit se Ministria e Financave ka mundësuar planifikimin e mjeteve në kategorinë rezervë për të shmangur klasifikimin joadekuat, kjo nuk është respektuar nga komunat”, tha ajo.

Spanca theksoi se, përveç kësaj, janë evidentuar edhe raste të tjera të keqklasifikimit, të lidhura me planifikimin jo të duhur të buxhetit dhe veprimet e vetë organizatave buxhetore.

“Keqklasifikimi tjetër ka ndodhur si pasojë e buxhetimit joadekuat, në vlerë prej 4.5 milionë eurosh, si dhe keqklasifikimi i ndikuar nga vetë organizatat buxhetore, në vlerë prej 40.4 milionë eurosh. Çështjet e tjera që kanë ndikuar në kualifikimin e opinionit janë mbivlerësimi i pasurive në vlerë prej 33.5 milionë eurosh, nënvlerësimi i llogarive të arkëtueshme në vlerë prej 4.4 milionë eurosh, mbivlerësimi i detyrimeve të papaguara në vlerë prej 2.8 milionë eurosh dhe mbivlerësimi i detyrimeve kontingjente në vlerë prej afro 30 milionë eurosh”, deklaroi Spanca, raporton EO.

Ajo vlerësoi se këto mangësi dëshmojnë nevojën për përmirësimin e kontrolleve të brendshme në organizatat buxhetore, me qëllim të rritjes së saktësisë dhe besueshmërisë së raportimit financiar.

“Këto mangësi evidentojnë nevojën për përmirësimin e kontrolleve të brendshme në organizatat buxhetore, për të siguruar cilësi më të lartë të raportimit financiar dhe saktësi të evidencave kontabël. Klasifikimi joadekuat i shpenzimeve dhe mangësitë në regjistrin e pasurive, llogarive të arkëtueshme dhe detyrimeve ndikojnë në saktësinë dhe besueshmërinë e raportimit financiar”, theksoi ajo.

Duke folur për treguesit kryesorë fiskalë, auditorja e përgjithshme bëri të ditur se deficiti buxhetor gjatë vitit 2025 ishte brenda kufijve të përcaktuar me ligj.

Sipas raportit të prezantuar, deficiti i përgjithshëm i planifikuar ishte 224 milionë euro, apo 2 për qind e Bruto Produktit Vendor (BPV), ndërsa pas realizimit përfundimtar të buxhetit ai rezultoi dukshëm më i ulët.

“Sa i përket deficitit buxhetor, gjatë vitit 2025 ai ishte brenda limiteve të përcaktuara ligjore. Deficiti i përgjithshëm i planifikuar ishte 224 milionë euro, ose 2 për qind e BPV-së, ndërsa sipas realizimit final të buxhetit, deficiti ishte rreth 7.8 milionë euro, ose 0.07 për qind e BPV-së”, deklaroi Spanca.

Ajo bëri të ditur se borxhi i përgjithshëm shtetëror në fund të vitit 2025 kishte arritur në mbi 1.8 miliardë euro, duke shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.

“Borxhi i përgjithshëm shtetëror në fund të vitit 2025 arriti vlerën prej mbi 1.8 miliardë eurosh, që krahasuar me vitin paraprak shënon një rritje prej 80 milionë eurosh, apo 4.6 për qind. Borxhi i jashtëm është 856 milionë euro, kurse ai i brendshëm është 961 milionë euro”, tha auditorja e përgjithshme.

Sipas saj, në raport me BPV-në, borxhi shtetëror vazhdon të jetë në nivel relativisht të ulët.

“Në raport me BPV-në, borxhi shtetëror vazhdon të jetë mjaft i ulët dhe sillet rreth 10.6 për qind, krahasuar me kufirin prej 40 për qind të përcaktuar sipas Ligjit për Borxhin Shtetëror”, thuhet në të dhënat e raportit.

Një tjetër çështje e ngritur nga Spanca është niveli i ulët i shfrytëzimit të fondeve nga kreditë e jashtme, të cilat janë në dispozicion për financimin e projekteve të ndryshme publike.

Sipas saj, organizatat buxhetore kanë tërhequr 147 milionë euro nga kreditë ndërkombëtare gjatë vitit 2025, ndërsa vonesat në realizimin e projekteve dhe shfrytëzimin e mjeteve vazhdojnë të paraqesin sfidë për institucionet.

“Të nderuar deputetë, është evidente se edhe në vitin 2025 niveli i tërheqjes së fondeve nga kreditë e jashtme është i ulët. Organizatat buxhetore, për projekte të cilat financohen nga borxhi ndërkombëtar, kanë tërhequr fonde nga kreditë në vlerë prej 147 milionë eurosh. Tërheqjet më të larta janë realizuar nga kreditorë si FMN-ja, ANZH-ja dhe Banka Botërore”, deklaroi Spanca.

Ajo theksoi se vonesat në shfrytëzimin e fondeve kanë ardhur si pasojë e disa faktorëve, përfshirë planifikimin jo të mirë, problemet në proceset e prokurimit dhe kapacitetet e kufizuara institucionale.

“Vonesat në tërheqjen e fondeve në dispozicion kanë ardhur kryesisht si pasojë e planifikimit jo të mirë, vonesave në procesin e prokurimit, ndryshimeve të çmimeve në treg dhe kapaciteteve të kufizuara institucionale për shfrytëzimin me kohë dhe në mënyrë efektive të fondeve të huamarrjes”, u shpreh ajo.

Raporti i ZKA-së evidenton gjithashtu rritje të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin paraprak.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Spanca, të hyrat janë rritur për 278 milionë euro, ndërsa shpenzimet për 291 milionë euro. Ndërkaq, realizimi i buxhetit final ishte 91 për qind.

“Realizimi i të hyrave, krahasuar me vitin 2024, është rritur për 278 milionë euro, apo rreth 9 për qind më shumë. Po ashtu, edhe shpenzimet e vitit 2025 janë më të larta për 9 për qind, apo 291 milionë euro. Buxheti final është shpenzuar në masën 91 për qind”, bëri të ditur auditorja e përgjithshme.

Në kuadër të auditimit të Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë gjithsej 73 rekomandime për Qeverinë dhe Ministrinë e Financave, me qëllim të adresimit të mangësive të evidentuara dhe përmirësimit të menaxhimit të parasë publike.

Spanca bëri të ditur se, përveç auditimit të raportit vjetor financiar të Qeverisë, ZKA-ja ka realizuar edhe një numër të madh auditimesh individuale gjatë sezonit auditues 2025-2026.

“Në këtë raport, sa i përket auditimit të Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë, janë dhënë 70 rekomandime për Qeverinë dhe Ministrinë e Financave. Në vijim do t’i shpalos edhe rezultatet nga auditimet individuale. Zyra Kombëtare e Auditimit, për sezonin auditues 2025-2026, ka realizuar 131 auditime në institucione publike, projekte me rëndësi dhe fusha me interes për qytetarët”, tha Spanca.

Sipas saj, nga gjithsej 131 auditime të realizuara, 99 ishin auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për organizatat buxhetore dhe ndërmarrjet publike, 15 auditime të performancës, 11 auditime të veçanta të pajtueshmërisë dhe gjashtë auditime të projekteve të financuara nga Banka Botërore.

Pavarësisht përmirësimeve që janë vërejtur ndër vite, rezultatet e auditimeve tregojnë se një numër institucionesh publike vazhdojnë të kenë probleme me zbatimin e legjislacionit, raportimin financiar dhe përmbushjen e objektivave institucionale.

Spanca theksoi se nevojitet forcimi i kontrolleve të brendshme dhe respektimi më i madh i rregullave që kanë të bëjnë me shpenzimin dhe administrimin e fondeve publike.

“Përkundër faktit se nga viti në vit vërehen përmirësime, rezultatet e auditimeve tregojnë se ende ekzistojnë mangësi, qoftë në aspektin e pajtueshmërisë me kornizën ligjore, ashtu edhe në aspektet e tjera të përmbushjes së objektivave në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve. Një numër i institucioneve publike duhet t’i rrisin masat për përmirësimin e kontrolleve të brendshme, sa i përket përmbushjes së standardeve dhe rregullave të raportimit financiar”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi se në disa institucione vazhdojnë të evidentohen aktivitete dhe transaksione që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfshirë klasifikimin e pasaktë të shpenzimeve, mangësitë në evidentimin dhe administrimin e pasurive, si dhe problemet në menaxhimin e detyrimeve dhe llogarive të arkëtueshme.

“Edhe më tutje vazhdojnë të kryhen aktivitete dhe transaksione jo në përputhje me legjislacionin në fuqi, klasifikimi i pasaktë i shpenzimeve, mangësitë në evidentimin dhe administrimin e pasurive, menaxhimin e detyrimeve të papaguara dhe rritjen e llogarive të arkëtueshme”, theksoi Spanca.

Një nga çështjet që auditorja e përgjithshme e cilësoi shqetësuese është lidhja e kontratave për projekte kapitale pa siguruar paraprakisht fondet e nevojshme ose pa marrë miratimet përkatëse.

Sipas saj, kjo praktikë mund të shkaktojë pasoja në bilancin buxhetor, të krijojë shpenzime shtesë dhe të rrisë rrezikun e keqmenaxhimit të parasë publike.

“Dukuri shqetësuese, e cila në disa raste është në rritje, është lidhja e kontratave për projekte kapitale pa siguruar fondet e nevojshme apo miratimet përkatëse. Praktika të tilla dëmtojnë bilancin buxhetor, krijojnë kosto shtesë të paparashikuara dhe rrisin rrezikun e keqmenaxhimit të fondeve publike”, shtoi Spanca.

Të ngjashme

Të fundit